Anëtari i PD Fatbardh Kadilli, ka prezantuar paraditen e sotme një lëvizje të re brenda Partisë Demokratike. “Iniciativa Demokratike” quhet lëvizja e re e Kadillit, e cila vepron brenda filozofisë së PD, ku do të ketë në përbërje zëra të njohur në radhët e demokratëve.
“Në përputhje të plotë me statutin e PD, shpallim krijimin e një nisme të re, e pangjashme dhe e pashfrytëzuar më parë. Këtë mundësi na e jep statuti, për të shfrytëzuar talentet e pashfrytëzuara të kësaj partie. Në sjellim ide, për një mendim të ri politik, për një aksion të ri politik.
Kjo strukturë është vetëvepruese, nuk merr porosi, por qëndron brenda kuadrit dhe filozofisë së Partisë Demokratike. Ne kemi vendosmërinë, guximin, pastërtinë të përballemi me të keqen, brenda dhe jashtë nesh. Qëllimi është një Shqipëri e drejtë dhe konkuruese”, ka thënë ndër të tjera Fatbardh Kadilli.
Ky i fundit ishte dhe ndër personat që ndërmori i pari nismën për zgjedhje brenda PD, edhe pse nuk arriti të fitonte në garën për kryetar. Por, sërish ai bëhet nismëtar i një lëvizjeje tjetër brenda demokratëve, bashkë me aktorë të njohur publikë.
Të pranishëm janë: Ivi Kasi, Artan Hoxha, Enno Bozdo dhe të tjerë.