Përveç problematikës së mësimit me turne dhe orëve të shkurtuara, kryesisht në shkollat e Kryeqytetit, prindërit e nxënësve të klasës 4-c në shkollën “Kongresi i Lushnjes” kanë një tjetër shqetësim. Fëmijët e tyre janë pa mësuese kujdestare.
“Unë shkova dje në shkollë dhe nuk bëmë mësim, s’kishim mësues. Vetëm luajtëm me njëri-tjetrin”. “Kjo situatë është përsëritur. Nuk ka zgjidhje nga vjet. Po çoroditen fëmijët, mësim jo i plotë, tërmet pandemi edhe mungesa e mësueses është. Kërkojmë zgjidhje”.
Edhe vitin e shkuar shkollor, nxënësit e klasës së katërt, kanë zhvilluar procesin mësimor me mësuese të ndryshme, madje prindërit ankohen se ka pasur raste kur fëmijët e tyre kanë qëndruar gjatë orës së mësimit me sanitaren e shkollës.
“Nuk kërkojmë shumë. Thjesht mësuesen e arsimit fillor për fëmijët. Kanë bërë sikur zhvillonin mësim, s’kanë bërë fare. Luanin e bënin vizatime!! Jemi shumë të shqetësuar. Ju lutem sa do zgjasë kjo”.
Pas ankesave të përsëritura të prindërve për mungesën e mësueses kujdestare në klasë, drejtoria e shkollës ka premtuar në zgjidhjen e situatës që gjatë kohës së përsëritjes, mirëpo viti i ri shkollor ka nisur me të njëjtën shqetësim. Ndërkohë që drejtoresha e shkollës, nuk pranon të dalë pas interesimit të Top Channel.