Deputeti i sapozgjedhur i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka deklaruar se do të largohet nga kjo Parti nëse ish-kryeministri Sali Berisha, do ta mundë kryedemokratin Lulzim Basha në sfidën që ka nisur. Gjekmarkaj ishte i ftuar në “Open”, ku është shprehur se lëvizja që ka nisur Berisha, do të kishte vlerë para Zgjedhjeve që të hapte në diskutim në Partinë Demokratike, por jo tani.
“Basha ka thënë që nuk do të ketë një kuvend që dyshon vendimet e Amerikës. Ky është një vendim që PD e ka marrë si një vendim politik, si një vendim që lidhet me çështjet e statutit. Nuk shoh shanse për një rikthim të Berishës, mendoj që dhe nuk duhet të rikthehet sepse çfarë ka patur për të dhënë i ka dhënë PD-së. Kjo lëvizje e tij do kishte vlerë para zgjedhjeve, që të hapte një diskutim për PD. Ose nëse do të kishte një mea culpa. Nëse fiton linja e Berishës, unë largohem nga Partia Demokratike,”- tha ndër të tjera Gjekmarkaj.