Gjykata administrative i hap rrugë Bashkisë së Tiranës për projektin e saj të rehabilitimit të pallatit “Kadare” te kryqëzimi i rrugës së Dibrës me Unazën e Vogël.
Pavarësisht tentativave për ta penguar projektin dhe konfliktit të interesit të ish gjyqtarëve dhe ish anëtarëve të KLD-së të përjashtuar përmes vetting-ut nga sistemi i drejtësisë, gjykata e cilësoi të drejtë vendimin e Bashkisë për zhvillimin e këtij projekti.
Pala paditëse në padi kërkonte sigurimin e padisë dhe kundërshtonte procedurën e prishjes së ish-pallatit të INSIG-ut, objekti i cili pengonte prej vitesh ndërtimin e Unazës së Vogël të kryeqytetit, por gjykata e rrëzoi kërkesën e tyre.
Ndërkaq, dy ditë më parë, Këshilli i Ministrave ka miratuar dhe vendimin për shpronësimin e ish-pronarëve që u prekën për interes publik në favor të Bashkisë Tiranë.
Afati i përfundimit të shpronësimit është përcaktuar brenda 3 muajve, ndërkohë që ish-pronarët do të duhet të paraqesin dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, në zyrat e Bashkisë Tiranë.
Bashkia Tiranë do të të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar. Bashkia e Tiranës ka fituar disa procese gjyqësore në Gjykatë për një sërë projektesh infrastrukturore në dobi të qytetit, sikurse ishte këndi i lodrave te liqeni që u pengua për 2 vite.