Edi Rama ka mbajtur një fjalim polemizues në Bërdo të Sllovenisë, në samitin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, në të njëjtën linjë me kritikat që shprehu në Tiranë ndaj presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leynden dhe në të njëjtën frymë me intervistën që dha për gazetën e madhe spanjolle El Pais. Ky mund të quhet pa frikë qëndrimi më i ashpër që kryeministri shqiptar ka shpalosur ndonjëherë ndaj politikave të zgjerimit të unionit. Ai ka ironizuar vendet e mëdha, që as nuk i përfillën shtetet ballkanike, ka folur për turpin që vetoja bullgare po hedh mbi fytyrën e Europës, ka përmendur rastin skandaloz të Maqedonisë së Veriut, që megjithëse ndryshoi edhe emrin, nuk iu hapën negociatat dhe së fundi, padrejtësinë që po i bëhet qytetarëve të Kosovës duke mos i liberalizuar vizat.
Pra po të shihet me vëmendje fjalimi i Ramës në Bërdo ai i ngjan një pretence kundër hipokrizisë së BE-së.
Kryeministri shqiptar është treguar shpresëhumbur për një Europë, vendet anëtare të së cilës nuk pranojnë të përfillin as rekomandimet pozitive të Komisionit të Brukselit, të cilin e kanë ngritur vetë, është tallur me një proces që pretendon se bazohet tek merita, ka theksuar se politikisht është e pamundur për një udhëheqës të mbijetojë politikisht në vendin e tij përballë këtij zhgënjimi që prodhon BE-ja, ka përdorur fjalën “komplot” madje ka imagjinuar edhe mërzitjen e vetë vendeve anëtare me unionin e tyre.
Me këtë fjalim nuk ka dyshim se Rama do të marrë mbi vete skeptrin e liderit të parë të Ballkanit që bën një kritikë të strukturuar ndaj BE-së. Por pyetja që shtrohet është më ç’qëllim po e bën këtë?
Diçka kuptohet në pjesën e fjalimit ku ai thotë: “nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të shkojë në BE, BE mund të shkojë në Ballkanin Perëndimor”.
Dhe aty duket qartë, sikur kryeministri shqiptar do të negociojë me Brukselin mbështetjen për Ballkanin e Hapur, meqë nuk është në gjendje të plotësojë ëndrrën e integrimit. “BE -ja mund të na ndihmojë duke mbështetur plotësisht nismën tonë për Ballkanin e Hapur” i ka kërkuar ai liderëve europianë, të cilët gjithmonë kanë mbështetur Procesin e Berlinit si nismë gjithë përfshirëse.
Por Rama ka këmbëngulur se inisiativa e ndërmarrë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Tirana nuk ka pse të jetë e tillë, sepse në këtë rast do të mbetej peng i vetos dhe tekave të çdo shteti. “Ne thjesht duam të vazhdojmë punën pa u mbështetur në një mënyrë të vjetëruar dhe problematike të krijimit të konsensusit, kufizimet e të cilit janë të hapura për të gjithë për t’i parë. Open Balkan është një mekanizëm konkret, gjithëpërfshirës dhe i hapur për përmirësim, i cili do të përfitonte nga mbështetja e plotë e BE -së për të sjellë në ndihmë kontributin konstruktiv të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor” tha ai në fjalim.
Duke këmbëngulur dhe duke dhënë argumenta në favor të Ballkanit të Hapur dhe duke e bërë këtë paralel me kritikat ndaj BE-së, Edi Rama me fjalimin e tij më të fortë kundër Unionit krijoi përshtypjen se ai ishte në Slloveni kryesisht për të mbrojtur nismën që ka marrë së bashku me Zaevin dhe Vuçiçin, e cila nuk pranohet nga gjysma e shteteve të tjera të rajonit./lapsi.al