Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për një televizion spanjoll, ku ka folur lidhur me çështjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE por edhe me problemet dhe sfidat që po ndesh rajoni i Ballkanit Perëndimor për të zgjidhur konfliktet e brendshme dhe për t’u bërë sa më parë pjesë e Bashkimit Europian.
Gjatë intervistës, gazetari spanjoll i kujton faktin që Kosova nuk njihet ende nga Spanja si shtet i pavarur. Ndërkohë Rama u përgjigj se kjo nuk kishte të bënte me ndonjë problem që Spanja e kishte me shqiptarët apo me Kosovën por me çështjet e saj të brendshme sa u takon lëvizjeve separatiste.
Gazetari Spanjoll: Një nga çështjet kryesore është fakti që mes 27 vendeve të Bashkimit Europian, ndër to është edhe Spanja që nuk e njeh Kosovën si shtet.
Edi Rama: E vërtetë, por e dimë shumë mirë që pozicioni i Spanjës nuk është i lidhur me problemet me shqiptarët apo më vetë Kosovën por me historinë dhe problemet e brendshme të saj. Duhet të jemi të qartë, nuk ka asnjë krahasim të mundshëm mes problemeve të brendshme të Spanjës lidhur me lëvizjet separatiste dhe ndarsjes së Kosovës nga Serbia.