Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, është shprehur mesditën e sotme se qeveria dhe dikasteri që ai drejton, janë duke biseduar për rritjen e pagave të efektivëve të Policisë së Shtetit. Kjo sipas tij, do të bëhet përmes një projekti që nuk prek buxhetin e shtetit.
“Ne kemi një projekt i cili do të krijojë mundësi për Policinë që të marrë të ardhura më shumë në mënyrë që të shpërblejë vetë trupën e saj. Po shohim këto mekanizma, pa cënuar buxhetin e shtetit. Padiskutim që ka qenë (rritja e pagave) në vëmendjen tonë”, tha Çuçi për mediat.
Për ultimatumin e 100 ditëshit që kryeministri Rama i la Policisë, Ministri tha se analiza ka filluar nga drejtori i ri Gledis Nano.
“Drejtori i ri ka filluar punën me këtë analizë. Do të jetë në gjithë Shqipërinë, në qarqe të ndryshme. Ky raport do të shërbejë si një dokument i rëndësishëm për vlerësimin e gjithsekujt. Kjo është një punë e vazhdueshme në mënyrë që të kemi një trupë sa më profesionale, që Policia të jetë në lartësinë e duhur. Drejtori i ri i Policisë punën e ka filluar duke shkuar në çdo qark”, u shpreh Ministri .