Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, ka pasur dje një takim me drejtueset e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian – Kryetaren Jorida Tabaku dhe Nënkryetaren Etilda Gjonaj – për të diskutuar mbi progres raportin e Komisionit Europian për vitin 2021. Përmes një njoftimi për mediat, ambasada amerikane bëri me dije se ambasadorja e ka bërë të qartë se SHBA është në krah të Shqipërisë në aspiratën e saj europiane.
“Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken kanë theksuar se Shtetet e Bashkuara besojnë me forcë se Shqipëria i përket Bashkimit Europian dhe se negociatat e anëtarësimit duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Ne besojmë se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian ndihmon në konsolidimin e institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në përparimin e sundimit të ligjit në Shqipëri, si dhe rrit stabilitetin dhe kontribuon në zhvillimin e popujve të rajonit”, tha ambasada amerikane.
Sipas saj, Yuri Kim, mirëpriti vendosmërinë e Komisionit për të forcuar llogaridhënien mbi veprimet e qeverisë, për të informuar publikun dhe për të përshpejtuar përparimin drejt përmbushjes së standardeve të Bashkimit Europian, përfshirë sundimin e ligjit, reformën në drejtësi, masat kundër korrupsionit dhe pastrimit e parave në përputhje me rekomandimet e Task Forcës për Veprim Financiar (FATF) dhe reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it.
“Ajo përsëriti se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë të mbështesin me forcë përpjekjet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, e cila – ashtu si përpjekja e suksesshme e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO – është një qëllim i rëndësishëm strategjik që kërkon kontributin e ideve dhe përpjekjeve nga të gjitha palët”, tha ambasadorja amerikane. Po dje, një takim të ngjashëm ambasadorja pati me Elisa Spiropalin, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Në një postim në rrjetet sociale, shoqëruar me fotografi nga takimi, Ministrja Spiropali thekson se Shqipëria është përzgjedhur të marrë pjesë në “Samitin për Demokraci”, iniciativë e Presidentit Biden që bën bashkë udhëheqës botërorë dhe aktorë të tjerë nga vende demokratike.