Klodian Tomorri: Mandati i tretë, ose plaçkitja e fundit

0
93
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Klodian Tomorri

Mandati i tretë ka nisur furishëm, ashtu siç pritej. Sipas relacionit të buxhetit, vitin e ardhshëm qeveria ka parashikuar të miratojë 7 koncesione të reja. Janë 7 kontrata të mëdha me një faturë totale prej 214 miliardë lekësh ose plot 1 miliardë e 750 milionë euro.

Disa nga këto koncesione janë tentativa të hershme.

E para është autostrada Milot-Fier. Kjo është një vepër me kosto totale 178 miliardë lekë ose 1 miliardë e 450 milionë euro. Vitin e ardhshëm, sipas relacionit të buxhetit 2022, qeveria do të miratojë koncesionin e njërit prej segmenteve të kësaj rruge. Pra, pas dështimit të vitit të kaluar me kompaninë greke “Terna”, tani autostrada Milot-Fier do të koncesionohet me segmente.

Projekti i dytë koncesionar, që parashikohet të miratohet vitin tjetër është ai i bazës së të dhënave dhe mbikqyrjes së qendrave të kontrollit teknik të automjeteve. Pra kolaudimin e makinave si shërbim e ofron shteti, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor. Por qeveria do të kontraktojë një koncesionar privat që do të mbikqyrë DPSHTRR-në se si e bën kolaudimin e makinave. Dhe ky koncesion do t’u kushtojë qytetarëve shqiptarë plot 165 milionë euro në të gjithë jetëgjatësinë e tij.

Mbikëqyrja e kolaudimit të automjeteve është një koncesion i tentuar që vitin e kaluar. Por pas disa denoncimeve në media qeveria u tërhoq. Fillimisht pas këtij projekti ka qenë Shkëlqim Devolli, një biznesmen i fuqishëm nga Kosova. Ndërmjetës ishte një gazetar me ndikim pranë kryeministrit Edi Rama. Tashmë nuk është e qartë nëse janë sërish të njëjtët njerëz që e riaktivizuan prapë koncesionin e çuditshëm.

Veç këtyre kontratave, vitin tjetër parashikohen të jepen me koncesion edhe siguria rrugore, infrastruktura e çelësave publikë (hajde merre vesh se çfarë janë këto) si dhe koncesioni për ndërtimin e lulishteve të disa lagjeve në Elbasan. Me pak fjalë, koncesione të çuditshme sipas variantit “kap ça të kapësh”, që më shumë duken mekanizma për të zhvatur paratë e buxhetit dhe qytetarëve se sa kontrata që i shërbejnë interesit publik.

Ky është mandati i plaçkitjes së fundit. Ajo që po vjen do të jetë një gjakderdhje e mirëfilltë financiare, e cila do të trondisë nga themelet fondamentet e financave publike dhe paramatrat makroekonomikë të vendit.

Sinjalet e para të zhbalancimit të financave të shtetit tashmë kanë filluar të duken. Deficiti fiskal i vendit, pra huamarrja e re e qeverisë, do të qëndrojë mbi 5 për qind e Prodhimit Kombëtar, për të tretin vit rresht. Me pak fjalë, vendi vazhdon të akumulojë borxh, ndërkohë që konsolidimi vazhdon të shtyhet. Dhe pyetja që shtrohet në fund është se për çfarë po zhytet Shqipëria në borxh? Thjesht dhe vetëm që të paguhen sekserët e koncesioneve të çuditshme.

Zjarr Tv Ad