NGA VEHAP KOLA
“Bucket list” është një film i Rob Reiner që u kushtohet dy njerëzve të çuditshëm që janë diagnostikuar me kancer terminal dhe nisen për disa aventura që duken krejt të pamundura.
Dy personazhet kryesorë, Carter (që luhet nga Morgan Freeman) dhe Edward (vihet në jetë nga Jack Nicholson) kanë edhe një vit jetë dhe falë pasurisë së pallogaritshme të Edward ndërmarrin një udhëtim përreth botës. Vizitojnë piramidat e Egjiptit, Taxh Mahalin, Hong Kongun, Rivierën franceze dhe Himalajet.
Nuk dihet se sa milion është numri i telekomandave që mund të kenë fluturuar drejt televizorëve nga pacientë me kancer që do ta gjenin këtë fantazi ofenduese ndaj vuajtjes së tyre.
Në këtë fund gjithëpërmbledhës të udhëtimit të tij politik është edhe Berisha. I vetëdijshëm se nuk i ka mbetur gjë për të humbur, ai duket se ka një tjetërlloj liste dëshirash nga ato të personazheve të filmit tonë.
I pyetur nëse ai kishte një project për t’iu përgjigjur Lulzim Bashës disa orë pasi ky i fundit kishte marrë vendimin për pezullimin e tij nga grupi parlamentar, Doktor Berisha u shpreh se ai kishte një projekt të qartë, sepse ai punonte vetëm me projekte.
Po cili ishte qëllimi i këtij projekti? Sepse projektet kanë qëllime dhe të gjitha veprimtaritë që ai parashikon dhe realizon kanë si funksion të përmbushin qëllimit kryesor hap pas hapi. Qëllimin e një projekti të gatshëm, siç duket prej kohës, na e ka shpallur vetë Berisha shumë kohë përpara se Basha të merrte vendimin në përgjigje të kërkesës amerikane.
Më 30 korrik, Berisha paralajmëronte Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike se nëse e përjashtonin apo nëse merrnin masa ndaj tij, ai do të bënte çdo gjë për ta shkatërruar këtë parti. Parimi i këtij paralajmërimi ishte i qartë: pas meje, nami u bëftë!
Pasi kishte dërguar sinjale të disafishta gjatë daljeve të tij të shpeshtuara në televizione pas shpalljes non-grata nga Departamenti i Shtetit, në një intervistë për televizionin Ora Neës, Berisha iu përgjigj me këto fjalë pyetjes se a e kishte vënë në pozitë të vështirë Bashën me refuzimin e tij për t’u larguar:
“Pozita më e vështirë do të ishte nëse unë nuk do bëjë këtë që po bëj. Nëse nuk do të qëndroja për dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e njeriut. Një parti që nuk qëndron për këto parime meriton të mos ekzistojë. Kjo është e qartë për çdo demokrat”.
Ajo që ndodhi pas vendimit të Bashës për të pezulluar Berishën përkohësisht nga grupi parlamentar demokrat vetëm e vërtetoi dyshimin se ky ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për Bashën dhe PD-në.
Përvetësimi nga z. Berisha i të gjitha akuzave të hedhura nga kundërshtarët politikë dhe të pakënaqurit nga ish-drejtimi i Partisë Demokratike ishte një mënyrë e përkryer për të mbjellë mes demokratëve një përçarje të pashërueshme.
Ndryshimi 180 gradë, sa hap e mbyll sytë, i qëndrimeve sa i përket vendimeve dhe rrugës së Bashës dhe PD-së në 8 vite, tregoi qartë se mekanizmi shkrehës nuk ishte asnjë prej këtyre vendimeve apo rrugëve të opozitës, por vendimi për pezullimin e Berishës.
Për të hequr çdo dyshim se qëllimi i vërtetë i z. Berisha është pikërisht shkatërrimi i Partisë Demokratike, le të konsiderojmë edhe qëllimin e shpallur të lëvizjes së tij që mishërohet në vetëm emrin me të cilin e ka pagëzuar: Foltore!
Problemi që gjen sot tek këto takime është se problemet që synojnë të shmangin, shfaqen më bujshëm pikërisht në mesin e tyre. Vetë foltoret janë shembulli se si në një forum mund të censurohen kritikat, ku vetë pjesëmarrja është e përcaktuar nga qëndrimi paraprak ndaj foltores dhe ku as më i guximshmi mes demokratëve nuk do të guxonte të merrte pjesë e të shprehej kundër saj.
Gjatë këtyre javëve ne jemi bërë dëshmitarë të sulmit dhe mbylljes së gojës, në raste të caktuara edhe të përzënies së njerëzve që kanë kritika ndaj z. Berisha, raste ku ai ka dështuar të tregojë se nuk toleron mungesën e tolerancës ndaj këtyre sjelljeve sektare.
Madje mund të thush lehtësisht se Doktori duket më shumë i detyruar të braktisë edhe vetë normat që ai shpall formalisht për shkak se ligjërimi i tij ka ushqyer tashmë një revansh që nuk mund të ndalet as nga vetë ai.
Ndoërsa qëllimet formale të lëvizjes bëhen kurban në shkallët e teatrove dhe kinemave ku zhvillohen takimet, mbetet i paprekur qëllimi i shpallur nga vetë nismuesi i revoltës anti-Bashë më 30 korrik të këtij viti.
Është përgjegjësi e demokratëve, në krah të Bashës apo kundër tij, atyre që nuk duan ta shohin PD-në një parti në rrënim që nuk mendojnë “pas meje nami u bëftë”, që të ndalin këtë process denigrimi të familjes së tyre politike dhe pluralizmit politik në vend. Përndryshe, jemi duke vulosur mandatin e katërt të Edi Ramës në pushtet. Kjo është shumë më keq për Shqipërinë se largimi i Sali Berishës nga politika.