Presidenti Ilir Meta vazhdon që nga 2 nëntori, vizitën e tij në komunat arbërëshe në Itali. Sot kreu i shtetit theksoi nevojën për të regjistruar trashëgiminë arbëreshe në UNESCO si pasuri e paçmuar.
“I nderuar nga pritja vëllazërore e komunitetit të dashur arbëresh në Mezzojuso, që prej shekujsh i ruan dhe kultivon kulturën, traditat dhe ritet e të parëve tanë, – tregoi Meta në Fb. – Dikur edhe gjuha ishte e kultivuar siç na dëshmojnë veprat madhore të Nikollë Filjas, një nga autorët e letërsisë së vjetër arbëreshe.
Nevojitet një përkushtim më i madh për të arritur regjistrimin e trashëgimisë arbëreshe në UNESCO, si dhe një promovim e vëmendje e jashtëzakonshme ndaj kësaj pasurie të çmuar, vlerë e përbashkët me Italinë mike.
Me shumë rëndësi binjakëzimi i bashkive arbëreshe me ato shqiptare, si dhe rritja e ndjeshme e shkëmbimeve në fushën kulturore dhe historike, për të forcuar më tej marrëdhëniet mes nesh.”