“Mbështesim Ballkanin e Hapur nëse janë të 6-shtë shtetet”, Rama “përplaset” me të dërguarin e SHBA: Nuk na takon ne t’i bindim

0
44
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gabriel Escobar, deklaroi i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, tha se nëse në iniciativën “Balkani i Hapur” nuk përfshihen që të gjashtë shtetet e rajonit atëherë ajo nuk do të funksionojë. Gjatë një adresimi online që kishte në konferencën për “Ballkanin e Hapur” që u mbajt në Kuvendin e Serbisë, Escobar tha se iniciativat rajonale duhet të jenë barabartë të hapura për të gjitha shtetet.

“Ballkani i Hapur” përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parasheh lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve e njerëzve mes këtyre tre shteteve. Ndërkohë Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

Escobar paralajmëroi që në mesin e sfidave të “Ballkanit të Hapur” mbesin kontrolli i kufijve pas hapjes së tyre, ulja e korrupsionit dhe ulja e kontrollit shtetëror në ekonomi.

“Krahas kësaj, është me rëndësi që këto tre shtete të cilat iniciuan ‘Ballkanin e Hapur’ të mbesin të hapura dhe të bisedojnë ngushtë edhe me tre partnerët e tjerë që mbesin skeptikë”, shtoi Escobar. Sipas tij, SHBA-ja është e gatshme që të ndihmojë iniciativat rajonale nëse ato nuk i pengojnë integrimet evropiane.

“Jemi të gatshëm që t’u ndihmojmë në këtë rrugë, që të arrini standardet ndërkombëtare, që të bëhemi partnerë me Evropën, për t’u siguruar që ky rajon do të bëhet një prej ekonomive më të rëndësishme në Evropë”, tha Escobar.

“Përkrahim planin e Ballkanit të Hapur, gjithëpërfshirës, në mënyrë që të sigurojë qarkullim të lirë të mallrave, njerëzve, kapitalit e shërbimeve”, theksoi ai.

Kryeministri Edi Rama gjatë adresimit të tij online ka thënë se nuk u takon anëtarëve të iniciativës të bindin këdo që “Ballkani i Hapur” është vërtet i hapur. Ai theksoi se as supozimi që iniciativa nuk është e hapur për anëtarë të tjerë nuk është i vërtetë.

Sipas Ramës, “Ballkani i Hapur” është kompatibil me Procesin e Berlinit, iniciativë të cilën e themeloi kancelarja gjermane në largim Angela Merkel që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të BE-së.

Megjithatë, Rama shprehi pakënaqësi për faktin që Bashkimi Evropian po zvarrit zgjerimin për Ballkanin Perëndimor. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tashmë disa vjet presin nga Brukseli datën për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.

“Premtojnë data, e më pas nuk i realizojnë… Ne nuk do të jemi në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm, andaj ne në rajon duhet të punojmë bashkë”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ky i fundit u shpreh se do të ishte shumë i lumtur kur të dy partnerët, BE-ja dhe SHBA-ja do të deklaronin që “Ballkani i Hapur” është ‘iniciativë e mirë’.

Zjarr Tv Ad