Kryeministri Edi Rama ka marrë dozën e tretë të vaksinës. Për të rrëzuar zërat se atij po i injektohej ujë ose vaksina nuk ishte e vërtetë, Rama mori në dorë dy flakonë të ndryshëm dhe i tha një prej gazetarëve të zgjidhte se cilën ai do të bënte. Gazetarja Ambrozia Meta zgjodhi flakonin që Rama mbante në dorën e djathtë dhe Rama u ul në vendin e caktuar të merrte injeksionin.
Pas këtij procesi, kryeministri bëri apel që të gjithë qytetarët dhe zyrtarët publikë të vaksinohen sepse mund të vijë dita që të mos shkojnë në punë. Rama u shpreh qartë para mediave se ata punonjës të shtetit që nuk shkojnë në punë sepse janë të pavaksinuar, nuk do të paguhen.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
Unë e bëra sot vaksinën e tretë. Një zgjedhje e rastësishme nga gazetarja këtu. Si ka mundësi që kjo të jetë një lojë në kurriz të gjithë planetit dhe asnjë gazeta, asnjë TV dhe kanal serioz informimi të mos flasë? U është mbyllur mediave nga Amerika e deri në Islandë dhe u është hapur goja atyre që nuk kanë asnjë lidhje me shëndetin publik.
Po flasin për t’u vaksinuar të gjithë akademikët e botës. Dhe po flet kundër një lumë konspiracioni nëpër Facebook dhe internet. Kjo është të fyesh inteligjencën dhe të mos i besosh shkencës. Vaksina nuk të mbron nga infektimi, por nga vdekja. E kalon me simptoma të lehta.
Ne kemi bërë çmos të mos ngarkojmë psikologjikisht dhe të mos stresojmë sektorët e jetës në vendin tonë. Ama duhet të jemi të qartë se ne nuk mund ta lëmë këtë situatë në rrjedhje të lirë, të dali ku të dali sepse mbajmë përgjegjësi. Iu bëj thirrje punonjësve të këtij shteti që të vaksinohen sepse mund të vendoset që të mos shkojnë dot në punë nëse nuk kanë certifikatën online. Dhe nuk do paguhen më.
Ne kemi bërë çmos të mos ngarkojmë psikologjikisht dhe të mos stresojmë sektorët e jetës në vendin tonë. Ama duhet të jemi të qartë se ne nuk mund ta lëmë këtë situatë në rrjedhje të lirë, të dali ku të dali sepse mbajmë përgjegjësi. Iu bëj thirrje punonjësve të këtij shteti që të vaksinohen sepse mund të vendoset që të mos shkojnë dot në punë nëse nuk kanë certifikatën online. Dhe nuk do paguhen më. Edhe ata që kanë dyqane, mund të mos hapin dot më biznesin e tyre nëse nuk janë të vaksinuar.