Mulosmani: Berisha duhet të marrë pjesë në Kuvendin e datës 18 Dhjetor

0
90
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Ermal Mulosmani

Sot ndarja e Partisë Demokratike në dy pjesë duket më e afërt se kurrë. Palët tashmë kanë hequr çdo maskë hipokrizie dhe i artikulojnë pa drojë edhe mendimet e tyre më të errëta. Përpjekja e Lulzim Bashës për të spostuar Berishën nga rruga e tij drej Republikës së Re me një mirëkuptim nga ana e tij rezultoi një naivitet politik. Berisha nuk është më: “Udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar në zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike me SHBA në në nivelet më të larta” Lulzim Basha deklaratë, 19 Maj e përsëritur ekzaktësisht edhe më 09 Shtator, pra fiks 90 ditë më parë. Ose fjalia “Unë jam dëshmitar, si bashkëpunëtor i tij, ashtu si shumë prej jush, sesa rëndësi dhe vlerë ka patur për Sali Berishën mbrojtja e interest publik dhe shërbimi me ndershmëri përpara qytetarëve shqiptarë.” Deklaratë publike e shpalljes non grata, datë 09 Shtator.

Basha mendoi se përmes kësaj nekrologjie politike plot lavde dhe me justifikimin e presionit të papërballueshëm amerikan, Berisha do të kishte mirëkuptimin të vdiste politikisht e, ndoshta, edhe të shkonte në burg. Me këtë lëvizje ai u përpoq të merrte njëkohësisht edhe afrimin e ëndërruar më amerikanët por edhe dominimin absolut të partisë.

Berisha nuk e pati këtë mirëkuptim. Ka gjasa që ai do të dilte vetë nga politika në vitin 2017 nëse beteja për miratimin e Reformës në Drejtësi të mos shoqërohej me një fushatë kërcënuese me sfond figurën e tij apo edhe të zotit Meta. Daljet publike të Ambasadorit Lu, me një gjuhë të drejtërdrejtë, refreni i së cilës ishte “Reforma në Drejtësi do të kapë Peshkun e Madh” ishin një këmbanë alarmi për figurën e Berishës. Duke ditur mardhëniet e shkëlqyera të Ambasadës së USA-s në Tiranë me Ramën dhe rolin e këtij në Reformën për Drejtësi, atëherë, “peshku i madh” mbetej të ishte ai, Sali Berisha. Ai kishte udhëhequr vendin për 8 vitet paraardhëse dhe ishte aq inteligjent të kuptonte rrezikun. Pikërisht ky ligjërim ia rriti shqisën e vëmendjes e, ndoshta ishte përcaktues në kandidimin e tij në dy legjislaturat pasardhëse (2017, 2021).

Shpallja non grata nga Sekretari Blinken ishte faza e dytë e sulmit ndaj Berishës. Rreziku po bëhej iminent. Nëse Donald Lu e la të nënkuptuar kush ishte “peshku i madh”, Sekretari Blinken e përcaktoi me emër e mbiemër, me një motivacion skandaloz, të denjë për një lider afrikan të botës së tretë. Tani pritej që krijesa më e re e amerikanëve, Prokuroria e SPAK, të çonte deri në fund misionin për të cilin ishte krijuar. Mbetej vetëm t’i hiqej edhe çdo lloj mbrojtje politike. Këtu u fut në lojë Lulzim Basha me divorcin parlamentar. Radhën e kishte arrestimi.

Berisha refuzoi të bëhej viktima perfekte. Ai i dinte pikat e dobëta të Partisë së tij më mirë se askush por nuk i interesonte të shpallte luftë beniaminit të tij pasi mendonte se ai kurrë nuk do ta lëshonte atë politikisht. Këtu intuita e Berishës ka çaluar rëndë.

Pas vendimit të Bashës, ai mblodhi gjithë energjitë dhe mbështetësit më vitalë të tij dhe u hodh në kundërsulm. Baza e PD-së e kishte akoma berishizmin në AND-në e vet. Dështimet e njëpasnjëshme të aksioneve politike të Bashës, humbjet e të gjitha zgjedhjeve dhe sidomos pranimi me lehtësi të paimagjinueshme i humbjeve, pa asnjë analizë, i kishin dekurajuar militantët, shumica të papunë e me shpresë të vrarë.

Suksesi i lëvizjes së Berishës flet shumë më shumë për Bashën sesa për Berishën. Tetë vjet pasi mori kreun e Partisë, Lulzim Basha kishte arritur të mbante pas vetes vetëm strukturat drejtuese, zgjedhjen e së cilave ai e kontrollonte vetë. Pra vetëm rrogëtarët e tij dhe një grup komentatorësh politikë që shpresonin të bëheshin deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Daljet e tij jashtë Tirane ishin vetëm në kohë fushate zgjedhore, dalje të bezdishme, të lodhshme por të domosdoshme. Përkrahja masive e Berishës nuk tregon shpresën e demokratëve te Berisha por mungesën e shpresës te Basha.

Mungesa e instiktit politik të Bashës u vu re edhe në indiferencën ndaj lëvizjes së zotit Berisha. Ndoshta i mikluar nga mbështetja amerikane ai mendonte se problem do zgjidhej vetë. Siç i ndodhte rëndom. Ose shpresonte që SPAK-u të vepronte dhe, “fap” Zoti do të ishte me të. Ndoshta kështu mendon edhe tani. Fundja le të ikin sa të duan, boll të mbesin nja 10% dhe të mbetem prapë faktor politik.

Thirrja e Kuvendit të 18 Dhjetorit ka qenë vendimi më logjik në të gjithë këto kohë i Lulzim Bashës. Refuzimi i pjesëmarrjes së Berishës në këtë Kuvend ka qenë vendimi më i pakuptimtë i tij. Nëse pretendon se ka shumicën, Berisha dhe të tijtë duhet të shkojnë në Kuvendin e Bashës dhe të imponojnë rendin e ditës me shumicë votash. Këtu ndahet shapi nga sheqeri. Vendimet e një Kuvendi të përbashkët nuk mund të refuzohen. Aty mund të ndryshohet Statuti i Partisë, të shkarkohet Kryetari dhe të shpallen zgjedhjet e reja në Parti. Hezitimi i Berishës dhe përkrahësve të tij tregon pasiguri në shumicë. Ose duhet të shpjegohen se cilat janë arsyet e vërteta. Nëse Basha do të dilte pakicë në një mbledhje të përbashkët do të mbante edhe barrën e përccarjes së Partisë dhe do të humbte logon e saj.

Lulzim Basha tregoi edhe anën qesharake të tij me thirrjen e Kuvendit të tij. Në kushtet kur deklaron se anëtarë të Kuvendit janë mbi 7600 delegatë dhe në një mbledhje kaq jetike, ku rëndësia e votës së secilit ka një rëndësi vendimtare për fatin poltik të Partisë, vendi i mbledhjes së Kuvendit shpallet Pallati i Kongreseve në Tiranë. Salla më e madhe e të cilit zë 2043 vende (Platea A 723, Platea B 222, Platea C 222 dhe Platea D 876 vende). Mbledhjet e mëparshme të Kuvendit Kombëtar në këtë sallë dëshmojnë shumë për fiktivitetin dhe parëndësinë e vendimeve që janë marrë aty. Duken më shumë si ceremoni vulosjeje e emrave të këshillit Kombëtar dhe një mundësi për kontakt me liderin e madh sesa një dëshmi e demokracisë.

Nëse mbështetësit e Berishës do të mbërrinin në Kuvendin e datës 18 Dhjetor (supozojmë 3000 pej tyre) ata do të mbushnin plotepërplot gjithë Sallën e Koncerteve të Pallatit, krejt hollin, të gjitha zyrat e skutat e mundshme të atij Pallati. Ku do futen 4600 të tjerët? Si do bëheshin diskutimet, votimet? Për të nxjerrë në pah këtë fiktivitet të Bashës duhet që Berisha t’i bashkohet 18 Dhjetorit. Me çdo kusht. Përndryshe, duke e shmangur, përveçse tregon frikë e lejon Bashën të marrë vendime fiktive me një pjesëmarrje fiktive dhe të pakontestuar nga askush. Nga ana tjetër, vetëm deklarata se Berisha pranon pjesëmarrjen në Kuvendin e datës 18 do ta kthente në qesharake atë mbledhje.

Zjarr Tv Ad