Eshtë fare e thjeshtë për ta përcaktuar se kujt i përket Partia Demokratike. Shumë më e thjeshtë nga sa e mendoni. Se shoh që nuk ka mbetur loqe shkredhur nëpër studio, duke sjellë gjithfarësoj argumentesh, sidomos kur bëhet fjalë për Amerikën. Nuk fitohet me Amerikën kundër, të thonë, megjithëse nga ana tjetër e dinë fare mirë, madje e kanë të qartë në çdo gjymtyrë të trupit se nuk fitohet as me Lulzim Bashën. Dhe kanë hapur një temë se kujt i përket partia.
Eshtë shumë e thjeshtë. Me që Sali Berisha ka zgjedhur arenën e stadiumit kombëtar të Shqipërisë, atë të zgjedhë edhe Lulzim Basha. Janë 22 mijë ndenjëse. Duken sheshit. Le ta hapin sfidën. Kush e mbush dhe kush nuk e mbush arenën. Është fare fare e thjeshtë. Pastaj diskutoni se kujt i përket partia në fjalë, cilës frymë, asaj të ”demokratëve llum”, atyre duarve përpjetë nga Saranda deri në grykën e lumit Mat, Kukësin e Havzi Nelës, apo karrikehumbësave të Lulzim Bashës? Apo lukut të ndërruar të Grida Dumës?
Eshtë fare e thjeshtë. Përse lodheni e krekoseni sikur ky Eskobari që erdhi në mes të tensionit mes Rusisë dhe Amerikës, për çështjet e zgjerimit të NATO-s në Europën Lindore, për bazën e Kuçovës etj., u paska dhënë të drejtë dhe kohë deri tek problemi Sali Berisha. Me që është edhe dita e korrupsionit, ju të larët këmbë e kokë nga leku apo eurot, përse heshtni për faturën që shqiptarët po i paguajnë atij Beketit të Agon Channel? Dilini për zot shqiptarëve, jo duke u denigruar Berishën, por duke u ruajtuar kuletat! Por nuk e bëni. Jeni vetëm për bythën tuaj. Jeni ajo racë faqja e zezë, që kurrë nuk e njeh sfidën, por kulisat. Luftën pa kompromis për të mbajtur veç karriken. Nuk ka mbetur zgjedhje pa humbur ai Alibeaj, por prapë në kryesi mbeti.
Sot ka një dasim humnerë mes demokratëve dhe kryesisë që mban firmën. Lulzim Basha foli dje në Art Turbina, një depo lufte e kthyer në stallë, duke demonstruar haptazi se ka qënë pro prishjes së Teatrit Kombëtar. Nënshkroi një marrëveshje publike se do ta mbronte Teatrin me trupat e demokratëve. Nuk e bëri. Edhe kjo një beteje e humbur e opozitarizmit, ku pa diskutim ai nuk mori asnjë përgjegjësi. Por dhe premtimin bosh se do e rindërtonte ashtu siç ishte. Në fakt nuk është kërkush tjetër veç një mistrec me xhel, një gjumash, një humbës serial, sot edhe një përçarës që i ra për pjesë Partisë Demokratike.
Jo shumë larg nga Tirana e tij, pak a shumë një moshatar i tij Sebastian Kurz, Kryeministri i Austrisë, dha menjëherë dorëheqjen vetëm se u përfol. Sot nuk mban më asnjë post, bile edhe në parti. Ky xhelisti jonë flet për vjedhje zgjedhjesh, për non grata-n e Saliut etj. Madje gjoja i dhëmb për demokratët që kanë ”kundër” Amerikën. Sot po zgërdhihet sepse e ftoi Eskobari në Uashington. Po u thotë shqiptarëve që ka mbështetjen e Amerikës. Oh, pika ty!
Ti Lulzim Basha do mbahesh mend që i nxjerr njerëzit në rrugë dhe që i braktis hashiqare, pa përmbushur asnjë mision. Vetëm sepse ke hallin e bythës tënde, jo të demokratëve. Megjithatë, është fare e thjeshtë. Aty e ke arenën kombëtare. Mbushe dhe dil, fillo protestat për akuzat që bën. Se fitoret nuk njohin kompromis, por vetëm sfidë.
Edhe juve që mbushni kokën me opinionet e ca të shkoqurve nëpër studio. Kujt i përket Partia Demokratike? I përket Sali Berishës dhe demokratëve? Apo Lulzim Bashës me grupin e babaleve, të kënaqurve, ”pro amerikanëve” etj? E keni kollaj, shikoni se kush mbush stadiumin, ai është verdikti. Të tjerat janë llogje në radhën e qumështit. Kaq!