Bujqësia e varur nga tekat e klimës, përmbytjet rrënuan 1000 hektarë tokë të mbjella, nga të cilat 25 ha ishin sera

0
42
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Të paktën 1000 hektarë tokë bujqësore nga të cilat 25 hektarë sera janë përmbytur gjatë reshjeve të fundit nga dalja e lumenjve nga shtrati në Jug të vendit, tha Ministria e Bujqësisë. Dëmet më të mëdha u krijuan në njësinë administrative të Kutallisë në Berat një nga zonat më prodhuese në vend me bujqësi intensive.

Gentian Ziu një fermer aktiv në zonë, i cili prej vitesh kultivon mbi 1 hektarë serë tha se pas humbjeve të mëdha që përjetuan fermerët nga mbjelljet e dyta, reshjet erdhën si mallkim. Ujërat që kanë vërshuar në tokat arë dhe në sera dëmtuan rëndë te mbjellat që gjetën, por ndërkohë e kanë bërë tokën të papunueshme për së paku deri në mars. Llumi që lanë përmbytjet e dëmton rëndë tokën. Shpesh ato sjellin materiale dhe lëndë ndotëse, por më e keqja është se tani fermerët që kishin sera nuk mund të mbjellin.

“Tani është sezoni i mbjelljes për prodhimit e pranverës ose siç quhen ndryshe nga fermerët janë mbjelljet e para. Ky është sezoni që siguron edhe fitimet më të larta për fermerët. Tani që serat u përmbyten mbjellja mund të vonohet deri në pranverë. Kështu fermerët po përballen me humbje të larta për dy sezone rresht” tha fermeri Gentian Ziu nga Kutallia e Beratit.

Përveç dëmeve në sera përmbytjet dëmtuan dhjetëra hektarë tokë në me grurë të mbjella në fushë, të cilat po kalben poshtë ujit dhe llumit që krijoi përmbytja. Gjatë dekadës së fundit përmbytjet në Jug të vendit janë shtuar, për shkak se në sezone të reshjeve lumenjtë, kryesisht Vjosa del nga shtrati duke përmbytur tokat rreth saj. Ministrja e Bujqësisë gjatë një vizitë në terren tha se, dëmi nga përmbytjet e fundit do të ishte më i madh nëse nuk do të ishin bërë investimet në argjinaturën e Vjosës. Drejtoria e Bujqësisë në Qarkun e Beratit ka ngritur një komisionin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet i cili doli dje në terren.

Klima e biznesit në linjën prodhuese të bujqësisë është përkeqësuar vitet e fundit prej rritjes së kostove që po vijnë nga çmimet e larta të plehrave dhe pesticideve dhe nga ana tjetër dëmtimeve që kanë pësuar nga fara e keqe e mbjelljeve të dyta dhe mungesa e subvencioneve.

Historikisht bizneset bujqësore, sidomos fermat prodhuese, kanë vuajtur nga norma të ulëta të fitimit, por së fundmi rritja e kostove të lëndëve të para dhe mungesa e tregut po lë pa mbjellë qindra hektarë tokë për sezonin tjetër. Në zonat e Fierit dhe Lushnjës, këtë vit, ureja shitet 120% më shtrenjtë dhe nitrati gati 250% më shumë se vitin e kaluar.

Gjithashtu janë rritur kostot për të gjitha helmet dhe pesticidet e tjera, plastmasën dhe hekurin e serrave. Fermeri Ziu tha se kosto e prodhimit të një kilogrami domate tani ka arritur në 330-350 lekë, në varësi të kulturës dhe farës, nga rreth 290 lekë ose 30 lekë vitin e kaluar. Ndërkohë çmimet e shitjes kanë rënë ndjeshëm poshtë kostos. Plehrat kimike dhe pesticidet, përveçse tregtohen me çmime shumë të larta për buxhetin e fermerëve, nuk janë as cilësore./Monitor

Zjarr Tv Ad