PD e reformuar nën udhëheqjen e liderit historik demokrat Sali Berisha, e vetmja shpresë për ndryshime në Shqipëri
Protesta e datës 20 Dhjetor 2021 në ora 4 pasdite në Tiranë është me rëndësi jetike për ekzistencën dhe mirëqënien e kombit shqiptar. Ardhja e armikut dhe urrejtësit të përbetuar të popullit shqiptar, bashkëpunëtorit më të afërt të kriminelit Milosheviç, Aleksandar Vuçiç në Tiranë, paraqet kulmin e nënçmimit të mbarë kombit shqiptar. Është shkelje e drejtpërdrejtë mbi gjakun e qindra-mijërave viktimave të regjimeve barbare serbe, që nga zbritja e tyre nga shpellat e Karpateve dhe okupimi i tokave Ilire.
Nuk ekziston kurrëfarë dileme se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është i shitur dhe nën kontroll të plotë të kriminelit Vuçiç. Bisedat e fshehta, por edhe sjelljet e hapura të tij gjatë viteve të fundit tregojnë se kishte marrëveshje me të për faljen e krimeve serbe dhe ndarjen Kosovës. Pas dështimit të këtij projekti të ndyrë antikombëtar, dolën me idenë për një projekt tjetër më perfid, kinse për “Ballkan të hapur”, që nënkupton largimin e Shqipërisë nga Evropa dhe Amerika dhe futjen e saj në zonën e interesit Serbo-Ruso-Kinezo-Iranian.
Ardhja e Edi Ramës në krye të PS-së dhe marrja e pushtetit për tre mandate ishte fatëkeqësi kombëtare. Me hajni, dallavere, forma të ndryshme të korrupsionit dhe kriminalitetit ia arriti ta kompromentojë proçesin zgjedhor duke e futur Shqipërinë në kontroll të plotë të bandës së tij udhëheqëse.
Ramës këtë ia mundësoi edhe tërheqja nga lidershipi i PD-së i liderit antikomunist Sali Berisha dhe ardhja në krye e një politikani të paaftë, Lulzim Basha. Kjo, edhe me fajin e Sali Berishës. Edhe pse politikan i dështuar, Basha po mundohet të mbetet me zor Kryetar i PD-së me ndihmën e Edi Ramës dhe një pjese shumë të vogël të anëtarësisë së PD-së. Nuk e ka të qartë fare se populli është ai që mund ta japë dhe ta heqë pushtetin, jo Edi Rama, as ambasadorët e shteteve tjera, qofshin edhe shtete mike.
Shqipëria nënë është në një nevojë të dëshpëruar për ndryshime. Me të gjitha të mirat dhe të këqijat, Sali Berisha është në këtë moment i vetmi lider që mund të sjellë ndryshime, të krijojë opozitë të vërtetë demokratike proamerikane, konservatore dhe nacionaliste në Shqipëri dhe të ia ndalë turrin antishqiptarëve dhe antiamerikanëve si Edi Rama, Vuçiçi dhe Putini.
Shpallja e tij “non-grata” nga DASH, si e dyshimtë dhe pa fakte, sidomos përpjekja e Bashës për ta larguar nga Grupi parlamentar i PD-së, pati ndikim pozitiv në kthimin e Sali Berishës në jetën politike të Shqipërisë. Populli shqiptar ka vuajtur shumë dhe është shumë i ndjeshëm ndaj padrejtësive. Për këtë arësye, përkrahja nga populli demokrat i Shqipërisë për Sali Berishën u shtua shumëfish, gjë që është e dukshme nga pjesëmarrja masive në foltore dhe referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashës.
Të shpresojmë se do të ndodhë edhe në Shqipëri ngritja në pushtet e liderëve të kalibrit të Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, ardhja e të cilëve e shpëtoi shtetin e Kosovës nga ndarja dhe shkatërrimi. Të pakorruptuar, të aftë dhe të pakompromis, janë shpresa e vetme e ndërtimit dhe ngritjes së Republikës së Kosovës.
Pritet nga lideri Sali Berisha, t’i gjejë dhe afrojë drejtues të tillë, të cilët nuk i mungojnë as Shqipërisë, e ata do të jenë në gjendje ta reformojnë dhe forcojnë PD-në që të bëhet e gatshme për ta marrë pushtetin.
Politikanët tanë dhe të gjithë tjerët duhet ta kuptojnë se nuk është e thënë që të gjithë zyrtarët amerikanë duhet të jenë të mirë dhe proshqiptarë. Edhe ata bëjnë gabime. Por kushtetuta dhe demokracia e vërtetë amerikane ua gjejnë vendin të gjithëve gjatë kohës. Të gjithë janë të përkohshëm. Mospajtimi me ndonjërin prej tyre është gjë normale siç ishte rasti me ish-Ambasadorin proserb Grenell. Kjo nuk të bën automatikisht antiamerikan. Përkundrazi, në rastin e Grenell, ata që e kundërshtuan atë ishin proamerikanët e vërtetë. Kjo spjegohet shumë thjesht, përkrahja e Serbisë është kundër interesave strategjike amerikane.
Duhet filluar nga protesta e të Hënës, me sa më më shumë flamuj shqiptarë dhe amerikanë, me parulla proamerikane dhe proevropiane si dhe antiserbe dhe antiruse. Pritet dhe shpresohet se kësaj proteste të madhe do t’i bashkangjiten shqiptarët e të gjitha trojeve tona dhe kushdo që ka mundësi nga Diaspora patriotike. Është moment historik për t’ua treguar vendin Ramave, Vuçiçave dhe Putinave. Nuk ka forcë në botë që mund ta nënshtrojë kombin e bashkuar shqiptar!