Nga Kastriot Myftaraj
Me rastin e vajtjes së Presidentit të Serbisë Vuçiç në “Fish City” në Elbasan, sipas agjendës së përcaktuar nga mikpritësi i tij Kryeministri Rama për vizitën e tij është marrë cdo masë që mikut të shquar nga Beogradi të mos i ngecë në fyt ndonjë “halë” dhe ta shijojë plotësisht peshkun e zgjedhur të oligarkut Gjergj Luca, pronarit të “Fish City”.
Për të mos shqetësuar Vuçiçin është mbuluar shtatorja e Adem Jasharit, e cila gjendet në këtë resort. Është fjala për atë shtatoren për të cilën oligarku Luca me shumë emocion i kërkoi Albin Kurtit kur këtë e shpuri Edi Rama në resortin e Lucës, që të shkonin dhe ta shikonin.
Por meqënëse oligarku Luca e ka ngritur këtë shtatore për të joshur klientë nga Kosova në resortin e tij, ai pa ngurim e mbuloi atë kur ia kërkoi miku i tij Edi Rama. Meqënëse është parashikuar që Vuçiç të bëjë edhe një shëtitje nëpër resort për të parë këtë “mrekulli” kuptohet se shtatorja e Adem Jasharit do të ishte një e papritur e pakëndshme për të.
Meqënëse Vuçiç ka qenë Ministër i Informacionit në 1998 kur u vranë Adem Jasharit dhe njerëzit e tij në Masakrën e Prekazit, atij me siguri do t’ i shijojë më shumë darka sepse mendon që kështu ka mposhtur për herë të dytë Adem Jasharin.
I vetëshpalluri nipi i Drenicës, Lulzim Basha, i cili nuk po organizon protestë me rastin e ardhjes së Vuçiç, a nuk duhet të kishte thënë së paku diçka për mbulimin e shtatores së Adem Jasharit nga Edi Rama?/Kastriot Myftaraj.