Në një moment kur skandali sa vjen e thellohet me publikimin e të dhënave personale dhe shteti nuk po mban asnjë përgjegjësi, kryeministri Edi Rama sjell nismën e re të qeverisë së tij që ai e quan “Këshillimi Kombëtar i Shqipërisë” ku qytetarët shqiptarë do të japin mendimin e tyre për çështje strategjike të vendit. Duke mos komentuar mbi skandalin e pagave, apo daljen e numrave të celularit Rama tha se qeveria është angazhuar në shpërndarjen e një formul në formë fizike dhe online tek qytetarët, proces i cili nuk i ngjan aspak një referendumi.
Sipas ligjit, qytetarët shprehin qëndrimin e tyre mbi një propozim që u nënshtrohet në formën e një debati ose konsultimi të hapur populist. Por Rama ka një mënyrë tjetër të të bërit referendum duke çuar formularët për plotësim në pika të caktuara dhe online, dhe më pas duke lexuar vetë qëndrimet e qytetarëve. Në konferencën e sotme për shtyp ai deklaroi se shqiptarët do të pyeten mbi çështjen e Ballkanit të Hapur dhe nëse a duhet ndarë vendi ynë nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit në BE.
Kujtojmë se sipas një sondazhi të publikuar pak kohë më parë, thuajse dy në tre shqiptarë kanë përgjithësisht mendim pozitiv për nismën e Ballkanit të Hapur pasi sipas tyre përshpejton integrimin europian të rajonit, ndërsa pjesa tjetër është kundër pasi mendon se është nismë që lidhet me Soros. Në nismën e tij ‘tip’ referendum Rama u tregua i prerë për PPP-të duke thënë se koncesionet janë instrumente që përdoren në një vend kapitalist dhe duke injoruar totalisht qwndrimin e masws.
Ai u ndal dhe në fusha të tjera që nisma do të prekë, që lidhen me legalizimi sa më të shpejtë të kanabisit pasi sipas kryeministrit fuqizon bizneset. “Duke pasur parasysh se opinioni kërkon ashpërsim ekstrem në dënimin e autorëve përsëritës të zullumi kundër personit por në të njëjtën kohë kjo përbën edhe një sfidë në raport me standarde të caktuara apo me të gjithë procesin tonë që është i lidhur me botën ku jetojmë ne duam nga qytetarët opinionin e tyre”, tha Rama.
Pandemia, punonjësit, pensionistët dhe biznesit ishin tema të tjera të cilat u përmendën si fokus i nismës së “Këshillimit Kombëtar të Shqipërisë.” Duke mos dhënë asnjë pergjigje për skandalin e publikimit të të dhënave, Rama tha se qeveria e tij ka mundësuar dhënien e shërbimeve falas dhe se falë punës së tyre sot Dibra ka një rrugë dhe njihet nga gjithë pjesa tjetër e vendit.
Kujtojmë se dje ai deklaroi se çështja e publikimit të pagave do të hetohet thellësisht nga prokuroria dhe se nuk do ketë asnjë dorëheqje nga radhët e PS-së, cilido te ketë qenë burimi i daljes së të dhënave. Menjëherë pas fjalës së tij u publikuan dhe numrat e celularëve të qytetarëve dhe Prokuroria nisi grupin hetimor në AKSHI, ISSH dhe Drejtorinë e Tatimeve për kontroll të të dhënave kompjuterike.
Sot, skandali është fryrë akoma më shume pasi janë publikuar dhe targat e rreth 530 mijë automjeteve dhe ende nuk ka një përgjegjës të vënë para drejtësisë. Në prag të vitit të ri, vendi ynë ndodhet përballë një krizë ekonomike me rritje rekord të çmimeve, rrjedhjes së të dhënave personale e cila po thellohet akoma më shumë, një vëmendjeje të jashtzakonshme nga vendet e tjera qoftë mediatike apo politike, këto e të tjera që kulminojnë me ‘referendumin’ e Ramës. (faxweb.al)