Presidenti Ili Meta ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Greqisë, Karolos Papulias. Meta ka postuar një foto të hershme me të dhe shkruan se nuk do i harrojë takimet me të dhe sidomos respekti dhe përzemërsia e tij ndaj popullit shqiptar dhe Shqipërisë.
“Mësova me trishtim ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Republikës së Greqisë, Karolos Papulias.
Vlerësim të madh për rolin historik dhe kontributin e Tij të çmuar në përmirësimin e marrëdhënieve dhe forcimin e fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe për frymën konstruktive dhe vullnetin e sinqertë të dëshmuar për rivendosjen e urave dhe frymës së bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy popujve tanë.
Për mua do të mbeten të paharruara takimet me të dhe sidomos respekti dhe përzemërsia e Tij ndaj popullit shqiptar dhe Shqipërisë.
Ngushëllime familjes, autoriteteve dhe kombit grek për humbjen e këtij personaliteti të madh, që kontribuoi në rivendosjen e demokracisë dhe progresin e vendit të Tij” shkruan Meta në postimin e tij.