Publikimi i databazës me të dhënat e pagave të qytetarëve shqiptarë shkaktoi reagime të shumta dhe akuza ndaj qeverisë. Por avokati Spartak Ngjela nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e ka parë ndryshe publikimin e kësaj databaze, pasi thotë se kjo është një skemë e studiuar për të filluar aktin e fundit drejt eliminimit të korrupsionit në Shqipëri. Sipas tij, shenjat të japin të kuptosh se ka qenë nën investigim evazioni fiskal, pastrimi i parasë dhe korrupsioni qeveritar.
Ndërkohë, ai ngre pyetjen nëse do të vijojë më tej publikimi i të dhënave të qytetarëve shqiptarë, me llogaritë bankare dhe me pronat e paluajtshme.
Postimi i Spartak Ngjelës:
Një ditë më parë në emisionin Pikat mbi Ï pyeta a mos ndoshta kjo që po ndodh me listën e pagave, mund të jetë parathënie për të vijuar më tej me fakte të publikuara konkretizimin e luftës antikorrupsion? Tani, këtë nuk e kam më pyetje.
Kjo po duket se është një skemë e studiuar për të filluar aktin e fundit drejt eliminimit të korrupsionit në Shqipëri, në një spektër shumë të gjerë. Po të jetë kështu, Shqipëria ka hyrë në triumfin e saj historik
Shenjat janë se po tregohet që, në listën e pagave, janë vendosur bashkë: qeveri, deputetë, gazetarë dhe krimi i lidhur me politikën e lartë shqiptare. Shenjat të japin të kuptuar që aty brenda dallon se ka qenë nën investigim evozioni fiskal, pastrimi i parasë, korrupsioni qeveritar, dhe një sërë edhe më e gjatë e hetimit të krimit shtetëror dhe krimit të organizuar; në të dy krahët e politikës.
Por, këtu del kjo pyetje: ata që e kanë nisur këtë shfaqe, a do ta kalojnë edhe tek kontot bankare dhe pronat e paluajtshme? Në fakt kjo pritet të shihet; dhe po u shfaq si e tillë, atëherë ajo që shpreha në këtë shkrim është një e vërtetë faktike. Duhet pritur. Por shenjat janë se, ky që po vjen, do të jetë një janar i nxehtë.
As qeveria dhe as opozita nuk po flet për këtë ngjarje. Është kjo, frikë apo mospërfillje? Po për qeverinë Rama, çfarë është?Deri tani duket se qeveria Rama nuk i shpëtonte dot përgjegjësisë; megjithatë duhet pritur nëse do ta ketë apo jo vazhdimësi në këtë proces brenda apriorizmit për një proces antikorrupsion, ashtu siç u shpreha më lart në këtë analizë.