Hallet e pushtetarëve në vitin 2022!

0
32
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Edi Oga

Edhe pak ditë dhe viti politik 2022 do të fillojë t’i ‘filetohet’ vitit 2021, në kuptimin që gjërat do të vazhdojnë nga aty ku ‘ngrinë’ për shkak të festave. Pavarësisht se ky nuk është një vit elektoral, politika rrallëherë ka qenë kaq e trazuar, në pritje ngjarjesh ‘madhore’ të cilat mund të shpien në një ‘riformatim’ të detashmenteve dhe cënim serioz të ekuilibrave politikë. Kryesisht në lojë janë pozitat (për disa ekzistenca) e pesë pushtetarëve më me peshë aktualisht.

1.Presidenti.

Ky vit, me siguri duket si viti më i rëndësishëm i jetës politike të Ilir Metës. Në mos prej shkarkimit eventual nga ‘kushtetuesja’, në Korrik mandati i tij përfundon ‘natyralisht’ dhe ai nuk të dëshironte kurrsesi të gjendej në kampionatin e politikës si një futbollist me parametër zero. Përveç tratativave me pushtetin për ‘blerjen e garancive’, Meta ka shpallur rimarrjen edhe ‘de jure’ të LSI-së. Më pas, në varësi edhe të situatave momentit, në mënyrë pragmatiste dhe oportuniste, ai do të përcaktojë ngjyrën e aleancës për më tej.

2.Kryeministri

Mbase Edi Rama nuk ka ‘hallet’ e atyre që ka përballë, që i ka mundur, i ka përçarë dhe i poshtëron sistematikisht, por njëfarë parehatie ai ka filluar ta shpërfaqë prej disa muajsh. Ato rrjedhin nga gjithçka nënkupton ‘konsumimi i pushtetit’ nën dritën e situatës jo të favorshme rajonale dhe globale. Pa një plan të qartë veprimi, i ndikuar edhe nga ngjarjet e pritshme që nuk varen nga ai, kryeministrit do t’i duhet të improvizojë vazhdimisht në drejtimin e ‘timonit të tragetit të pushtetit’, në mënyrë që të shmangë përplasjen me ‘shkëmbinjtë nënujorë’, që sa vijnë e bëhen më ‘sipërfaqësorë e më të mprehtë’.

3.Kryetarët e Partisë Demokratike

Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë edhe më ‘hallemëdhenj’ se dy të parët. Duket fare e paqartë natyra e zgjidhjes së konfliktit të tyre më tepër se ekzistencial. Njërit prej tyre do t’i duhet ta mbyllë përfundimisht me ‘lidershipin’ e partisë, dhe kështu siç e kanë sjellë konfliktin, mund ta mbyllë përjetësisht edhe me politikën. Problemi është se palët në duel nuk po bien dakord për armët; njëri kërkon me patjetër zgjidhje ‘politike’ të menjëhershme, tjetri pretendon zgjidhje ‘juridike’ e cila vonon. Ideale do të ishte largimi i të dyve, por si çdo ‘pronë’, meqë të dy palët e konceptojnë si të tillë, kurrë nuk ndodh që atë ta ‘gëzojë’ një i tretë që nuk ka ‘investuar’ sa ata.

Për t’i ‘komplikuar’ edhe më tepër ‘dramat’ e politikës, mund të ketë rol edhe drejtësia e re, e cila është e vetmja shpresë që u ka mbetur qytetarëve shqiptarë. Megjithëse dyshues (me të drejtë) për pavarësinë dhe paanësinë e saj, shqiptarët kanë parë të konsumohet çdo kombinacion i mundshëm i partive politike, ndaj këtë shpresë e kanë të pashmangshme. Është si në rastin e atij të sëmurit rëndë, që familja nuk ka lënë spital e mjek pa shkuar, por ia kanë kthyer në shtëpi të pashëruar. Megjithëse shpresëpakë, ata nuk mund të mos e dërgojnë njëherë tek ai mjeku popullor, që e shëron kancerin me sodë dhe me uthull molle./newsbomb.al

Zjarr Tv Ad