Reforma në Drejtësi, mjergulla e zullumqarëve

0
1784
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga: Astrit Kosturi *

Të parët që duhet të japin llogari në këtë vend, në qoftëse do të vijnë një ditë gjykatësit më të mëdhenj (koha dhe populli), janë ata që në këto vitet e mbas 90-s, gjoja do të n’a shpëtonin prej diktaturës e padrejtësive që na ishin bërë. Kjo ka qënë tallja dhe gënjeshtëra më e madhe e gjithë këtyre viteve të mbas ’90-s, që na dhuruan njerëzit e politikës dhe të ligjit, ata, që u bënë padrejtësia vetë. Këta njerëz asnjëherë nuk i pamë në emigracion apo të djerësijnë në punët e biznesit, veçse, me mekanizma shteti dhe mjetet e tyre “ligjore” vendosën pushtetin e tyre dhe vunë pasuri marramendëse, zhvatën pamëshirshëm shumicën e popullit, pasurinë e tij të vënë me shumë mund e sakrifica, vepruan në dëm të interesave publike dhe në favor të interesave të tyre dhe klaneve që përfaqësojnë.
Në këtë mënyrë, e quajtura Drejtesia Shqiptare u bë kryeturpi i këtij absurdi dhe i kësaj situate konfuze në Shqiperi! Kjo “Drejtësi” për të cilën është folur çdo ditë e çdo natë deri në të gëdhurë gjatë këtyre 26 viteve të fundit, në emër të së drejtës dhe të drejtit u bë gracka vetë, kurthi në të cilin sot gjenden çuditërisht një popull i tërë!
Në gjithë këto vite, secili prej nesh ka parë e provuar, se sado që të luftosh, shteti ka qënë gjithnjë në anën e paligjshmërisë e mashtrimit, me fallsifikimin dhe shkelësit e ligjit, si garant i tyre, edhe kur e drejta ka qënë si drita e diellit!… Kjo na bëri të kuptojmë, se jemi në një betejë me absurdin shqiptar, me këtë dramë qesharake dhe të lodhshme, të kësaj bote të montuar kaq djallëzisht!
Këtë situatë kaq të zymtë, nuk duan t’a shohin vetëm autorët e saj, partitë kryesore dhe patericat e tyre, që vazhdojnë t’a manipulojnë opinionin publik dhe t’a mbulojnë gjendjen katastrofike të vendit me demagogji, duke e mbajtur popullin të varfër e të lidhur me propagandën mediatike, sa për të marrë sipas radhës qeverisjen e vendit.
Në kushtet e këtij stërmundimi të madh, që populli i thjeshtë vazhdon të kalojë, brenda e jashtë vendit, deteve dhe pyjeve, arave dhe rrugëve të botës, lindin natyrshëm pyetjet: Kush është shkaktari për situatën e krijuar, populli apo vullneti politik i këtyre dy e gjysmë dekadave? Gjithë kjo varfëri erdhi nga qielli, apo është vullneti politik i kësaj lukunie PSPDLSI e Co? Kronikat e zeza që nuk na u ndanë përgjatë këtij harku kohor, janë dështim apo prioritet i kësaj klase politke?! Dhe pyetjet, mud të arrijnë deri tek retorika e thjeshtë: Cili është plani i kësaj të vetëquajture klasë politike, të mbrojë shqiptarët apo të zhdukë shqiptarët? Çfarë mund të bëhet më tepër se kaq, ndaj një vendi dhe një populli të tërë?
Mardhëniet e pushtetit me popullin, kanë degjeneruar në atë farë feje, sa kush merr pushtet, mbledh rreth vetes familjarët, shokët dhe fisin, duke u sjellë me qytetarin si t’a kenë pronë të tyre, apo me ligjin si t’a kenë një instrument magjik që bën pasuri për ta, dhe si mjet për të shkatërruar kundërshtarin, në mënyrën më primitive!
Tashmë, ata nuk takohen më me popullin, janë tërësisht të ndarë në mendim, në sjellje e në veprim, duke harruar se si u bënë kështu të fuqishëm, prandaj s’na mbetet gjë tjetër, veçse të vetëorganizohemi politikisht, për të kërkuar të drejtat tona Njerëzore, Drejtësinë Popullore!
Të parët që duhet të japin llogari në kete vend, jane njerezit që gjoja bënë drejtesinë dhe politikën, ata që e kanë hequr veten më të përgatiturit e më të zotët, pavarësisht, se qenë më hileqarët dhe më finokërit, që i shkaktuan vendit dhe shqiptarëve një dëm kaq të madh, deri edhe gjenocid shpirteror me ato marifetet dhe dallaveret e tyre, tregëti e biznes me hallet e shumta, që vetë ata i prodhuan!
Sa shumë patetizëm, retorikë e mashtrime për 26 vjet rresht, për gjoja reforma e ndryshim, kohë ndryshimi e Shqipëri ndryshe, fjalë e shkarkime fiziologjike që na kanë tallur e fyer sistematikisht e paturpësisht!… Sidomos këto vitet e fundit, ku banditët me pushtet, gangësterët e horrat hileqarë, që së toku e vranë dhe sakatuan shpirtin e shqiptarit, grabitën e shkatërruan gjithçka, zhvatën dhe degraduan me dallavere Jetën tone, duke na detyruar të bashkëjetojmë me absurdin dhe të shohim se si, para syve tanë sendërtohen çdo ditë karaktere të deformuara dhe individualitete mjeranësh, ku nxitet përulja, servilizmi e lajkat e pështira që nënkuptojnë hipokrizinë dhe ngjyrimin e realitetit të gënjeshtërt, si një deformim e perversion kolektiv!
E gjithë kjo rrokopujë shqiptare, ndoshta duket edhe artistike kështu virtualisht, por realisht është një dramë plot dhimbje dhe qesharake njëherazi, është një klithmë e Jetës tonë, tashmë e pasigurt dhe e pavlerë për t’u jetuar!
Brenda dhe jashtë vendit, shqiptarët kanë nevojë për një mbrojtje të vërtetë e reale, dhe kjo mbrojtje duhet të organizohet, për të qënë të bashkuar kundër arbitraritetit, abuzimit dhe talljes shtetërore, që s’ është asgjë tjetër veçse, kriminale!
Pra, sot na duhet një front i vërtetë mbarë popullor, për t’u kthyer qytetarëve qeverisjen e vërtetë, për t’i thënë stop sundimit feudal, primitiv e mesjetar, si dhe frikës që sistemi i mashtrimit kultivon.
Fytyra e vërtetë e këtij pushteti çerekshekullor, që na u shit për demokratik, e që realisht nën këmbët e tij ka kafka, eshtra e gjak të Njerëzve të ndershëm, është servilizmi dhe demagogjia e “udheheqesve” tanë, prandaj sot, duhet investuar integriteti qytetar për Shqipërinë e cfilitur, integriteti moral e intelektual, si një detyrë tepër humane e fisnike, për të shmangur kaosin social.
Na duhet një front mbarë popullor (por jo i thirrur nga mëkatarët e pandëshkuar të PD-së), që merr përsipër betejën me padrejtësinë shoqërore, ku baza e sigurt e kësaj aleance janë qytetarët e shumtë e të braktisur, të tallur e të fyer, të lënë të papunë, në vuajtje e mjerim.
Dalëngadalë situata po piqet politikisht, dhe njerëzit po e kuptojnë, se për problemin e vërtetë të tyre janë më të avancuar, se opozita zyrtare. Populli po e thotë prej kohësh, se kjo është politika më antishqiptare. Solucioni është tejngopur me moszgjidhje, me ngërrçe dhe telashe pafund, sa që kemi arritur në momentin që të dorëzohesh dhe të lutesh, “mos paça punë me shtetin, drejtësinë, spitalin etj.”, si shprehje të pakënaqësisë e refuzimit, si një gulç e psherëtimë e thellë e këputjes së ëndrrës së tyre për shtet të së drejtës, si mospranim të këtij shteti, që nuk është më as për të drejtën dhe as për të drejtin.
Për njëzet e gjashtë vjet pa ndërprerje, politikanët dhe pushtetarët e elitës së re dhe të dyshimtë shqiptare, nuk kanë pushuar asnjë minutë së thirruri për reforma, të cilat do të rregullonin politikën, ekonominë, shoqërinë dhe mbi të gjitha do të ndërtonin shtetin e vërtetë për shqiptarët. Në krah të tyre nuk kanë munguar me fjalë dhe me “vepra” edhe ndërkombëtarët, veçanërisht ata europianë, të cilët na kanë marrë në “patronazh” dhe ne për këtë arsye, i kemi vënë në qoshe si zotër shtëpie, për të na europianizuar e futur në familjen e tyre të madhe.
Jo vetëm opozitarët e duetit “Basha-Berisha”, që i kemi provuar shumë vite në pushtet, por as opozitarët e rinj me flamuj e simbole, zjarr e tym, që e kanë marrë fillimin me vrull e urra, nuk na krijojnë bindje se do t’a ndryshojnë situatën me themel, përderisa vijnë nga kupola e padrejtësisë dhe energjitë që po harxhojnë, s’janë gjë tjetër veçse tretja e çorbës së gëlltitur prej saj.
Pra, as Partia Demokratike dhe as të tjerat (të djeshme, apo të sapokrijuara, të komanduara, të financuara e të urdhëruara nga s’dihet se ku), nuk na thonë asgjë konkrete se si do ta ndërtojnë shtetin demokratik të popullit, nuk na thonë asgjë për antagonizmin prezent dhe zgjidhjen e tij, por vetëm n’a recitojnë poezitë e tyre me slogane e parulla.
Situata kërkon Njerëzit e Lirë, të bërë të tillë pa mekanizma shteti, por të bërë vetë, prej vuajtjes dhe aftësisë e zotësisë së tyre. Zgjidhja e ngërrçit politik kërkon ata, që vërtetë nuk “kullosin” në parcelat e pushtetit dhe, që gjinden jashtë interesave të tyre publike e private. Të tillë Njerëz të Lirë, janë shumica që nuk kanë asgjë çfarë të humbasin (pasi i kanë humbur të gjitha, edhe pse nuk e njohin fuqinë e tyre), janë ata që tashmë besojnë se mjerimi i tyre nuk ka nevojë për mëshirë e lëmoshë, por për Drejtësi.
Gjithashtu, në krye të këtij marrshimi human të Njerëzve të Lirë, duhet të jenë intelektualët dhe gjithë ata njerëz, që në emër të Lirisë dhe të idealeve të larta, kanë vendosur të humbasin gjithçka ata kanë!… Kështu, të gjithë këta bëhen një forcë e madhe, pasi janë qartësuar e bindur, se ky nënshtrim i viktimës (i shumicës popullore) para fajtorit, në një shoqëri të lirë, është një kambanë alarmi, që gulçon ngaqë liria ka vdekur dhe se, e Drejta vetë, është viktima e parë e këtij regjimi, si pasojë e asaj që shoqëria shqiptare vazhdimisht ka bërë pazar me të keqen (me të keqen më të vogël, gjoja)!… Megjithatë, na duhet të emancipohemi dhe të vetëdijësohemi, teksa sipas “bathëve”, edhe kjo verë që po vjen do të jetë një dimër i egër, përsa kohë nuk kemi kuptuar nevojën e korrigjimit të kursit politik në Shqipëri.
Për sa kohë nuk jemi të bindur, se sistemi i sotëm së bashku me shtetin që ka pjellë, nuk mund të shërohet me reforma, sado të fuqishme e të goditura të jenë ato. Koha na thërret të marrim përsipër me përgjegjësi, çmontimin plotësisht të kësaj të keqeje të madhe, duke braktisur partitë e dallaveres 26 vjeçare, për të montuar sistemin e vërtetë të vlerave, sistemin që ka vërtetë në themel të tij popullin, të përfaqësuar në të gjitha hallkat e sistemit, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe jo me përfaqësues të manipuluar.
Këtë do t’a arrijë ajo parti që vjen prej popullit të thjeshtë, prej qindarkave të tij dhe jo prej financimeve të pushtetit të pistë apo të mafies vendase e të huaj.
Ndryshe nuk ka Drejtësi, por vetëm Padrejtësi e mbyllje në vetvehte, iluzione dhe zhgënjim pafund!
*Kryetar i “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”

Zjarr Tv Ad