E VETMJA ZGJIDHJE!

0
43
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Edi Oga, për newsbomb.al

Tashmë është e qartë për të gjithë. Partia Demokratike është shkërmoqur!

Të ndarë në dy llogore, liderat aktualë kanë pas vetes vetëm disa qindra ndjekës të përbetuar secili, të cilët janë gati të përleshen sërish nëse u kërkohet. Demokratët e tjerë janë të zhgënjyer porsa edhe shqiptarët që nuk militojnë në atë parti. Madje edhe shumica e socialistëve, ata me dy pare mend e lart, në kokë, ndjehen të shqetësuar, si të gjithë shqiptarët e tjerë që janë në gjendje të kuptojnë se sa e rëndë është situata në këtë spirale vetëshkatërruese!

Demokratët janë të shtrënguar të zgjedhin midis një autokrati të paaftë dhe një autokrati non-grata! Por demokratët janë lodhur me humbje! Ata nuk kanë më asnjë shpresë që me njërin apo tjetrin, partia e tyre do të rikthehet në pushtet. Me shumë gjasa, partia do t’i mbetet z.Basha, i cili do të përpiqet të përmbushë kërkesat e shtrira në kohë të eprorëve të tij “të padukshëm” vendas dhe të huaj, në shkëmbim të sigurisë personale dhe familjare, sigurisë fizike dhe asaj ekonomike! I sprovuar si humbës “i regjur” dhe politikan i aksioneve politike karagjoze, ai do ta katandisë llokmën e tij të partisë në një detashment të kontrolluar nga pushteti, me të cilin ai e ka të detyrueshme marrëdhënien e vasalitetit. Pra askush nuk ka asnjë shpresë që z.Basha do të ringrejë Partinë Demokratike. As ata që shkojnë pas tij. Madje as ai vetë!

Gjasat që z.Berisha të marrë në kontroll partinë ashtu siç dëshiron ai, janë afër zeros. Maksimumi që ai mund të bëjë, është të formojë një parti tjetër duke thirrur ose jo në kauzë edhe z. Meta, “hallet” e të cilit parashikohen të shtohen duke filluar nga java tjetër. Edhe z.Berisha ka pas vetes një grup të vogël ndjekësish të përbetuar. Shumica e demokratëve e shohin atë siç e sheh pjesa më e madhe e shqiptarëve; si një relike e së shkuarës, i cili nuk premton më asgjë të mirë për Shqipërinë e së ardhmes.

Në këtë situatë boshllëku opozitar, në këto “ujëra politike” në të cilat Edi Rama nuk kishte imagjinuar kurrë se do të “notonte” ndonjë ditë, ka vetëm një zgjidhje për të shpëtuar Partinë Demokratike. Ajo mund të vijë nga “skalioni i lartë” i personaliteteve të kësaj partie. Askush nuk e mohon që në Partinë Demokratike ka persona të aftë dhe me integritet, në gjendje që të ribashkojnë demokratët dhe të shpejtojnë rrëzimin e regjimit aktual. Po i lejoj vetes përmendjen e disa emrave; Oerd Bylykbashi, Agron Shehaj, Tomorr Alizoti, Jorida Tabaku, Belind Këlliçi, Afrim Krasniqi. Këta dhe të tjerë si këta, të cilët demokratët i njohin mirë, mund t’i lënë “kryetarët e molepsur” në luftën e tyre të turpshme dhe të vetëorganizohen. Të shpallin një votim vërtetë të lirë, të fitojë më i votuari ndër demokratë dhe të vazhdojë jeta…!/newsbomb.al

Zjarr Tv Ad