Anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Klevis Balliu, ka folur për mediat në lidhje me primaret që po zhvillohen në 6 qytete, ku do të zgjidhen kandidatët për zgjedhjet e 6 Marsit.
Ai u shpreh se asnjë anëtar i Partisë Demokratike nuk do të ndalohet të votojë, edhe nëse është mbështetës i Bashës. Balliu theksoi se këto primare do të nxjerrin kandidatë të fortë dhe të pastër për të drejtuar bashkitë.
“Vota do të jetë tani një mekanizëm për anëtarët e PD për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Kur flasim për demokracinë, nuk është e mjaftueshme vetëm të flasësh, por duhet të veprosh. Tani jemi në fazën e veprimit. Në këto primare do të nxjerrim kandidatë të fortë dhe të pastër. Nuk ka mekanizëm më të mirë se vota.
Askush s’ka të drejtën e përjashtimit të ndonjë anëtari. Kjo parti ka lindur për arsye se mendohej ndryshe. Nëse ke një mendim ndryshe, mund të krijosh një fraksion. Ne nuk jemi për largime dhe këtë e vërtetojnë edhe primaret. Askush s’mundet të guxojë të ndalojë një anëtar të PD-së të votojë”, tha Balliu