Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro ndodhej sot në Durrës, ku ka thënë se nuk do të ketë në beach bar-e pa leje më në rërë. Kumbaro sqaroi afatet e aplikimeve për bizneset, teksa tha se bizneset mund të aplikojnë për lejë në KPT deri më 25 mars.
“Ky vit duket shumë premtues për turizmin edhe pse ia kemi dalë të mbajmë në një kontroll të arsyeshëm shifrat e pandemisë edhe pse puna për sezonin e ri ka nisur shumë herët. Do doja ta rimerrim edhe një herë për ju, për kolegët tuaj dhe publikun se si e kemi organizuar punën me gjithë bashkitë e bregdetit për 400 km vijë bregdetare që ne kemi. Bashkitë kanë depozituar hartat e ndarjes së parcelave, plazhe publike 30 për qind, ku nuk lejohet plazhi dhe nuk ofrohen shërbimi, dhe në parcela që mund të jepet shërbim nga subjektet private.
30 ditë është afati i aplikimit deri në 27 shkurt. 10 ditë është afati i shqyrtimit të aplikimeve nga grupi teknik. Ka një risi këtë vit, bashkë me aplikimin duhet të paraqesë vërtetimin që s’ka detyrim në sistemin e Tatimeve. Edhe një moment i rëndësishëm, jemi mësuar të shohim beach bar-e në rërë. E dimë që jo të gjitha janë me leje me gjithë punën e bërë në territor. Do duhet të formalizojmë të gjitha strukturat që ndodhen në plazhe, të gjitha bar-et, të vogla dhe të mëdha. Do duhet t’i japim fund ndërtimeve pa leje në plazhe që nisin si tenda në ajër dhe përfundojnë në betone në rërë. Afati i fundit i aplikimit për e-leje në KPT do jetë në 25 mars. Nuk do lejojmë që në vitin 2022 ilegaliteti të bëj ligjin në plazhe”, tha Kumbaro.