Nga Frank Shkreli
Nga i harruari i Kombit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i harruari i kombit në ditëlindjen e tij | Gazeta Telegraf, nga i mbuluari me çarçaf m’u në qendër të Tiranës, e deri tek vizita provokuese e Presidentit turk, Erdogan në Shqipëri kohët e fundit në ditën e vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit -Skënderbe – mendonim se nuk mund të ketë ofendime më të shëmtuara se këto nga qeveria dhe shteti shqiptar ndaj Skënderbeut dhe kujtimit të tij. Fatkeqësisht, ishim të gabuar: Ka edhe më keq.
E pabesueshme, por e vërtetë. Jo, more jo, për këtë situatë, nuk ka faj Erdogani, i cili nuk e fsheh kurrë urrejtjen e tij për Gjergj Kastriotin – Skënderbe. Fajin e kanë vetë shqiptarët, qeveria në Tiranë, shteti shqiptar, Ministria e Kulturës, Bashkia, e ku ta di unë. Të gjithë duhet të turpërohen, nëqoftëse kanë fytyrë! Lexon njeriu një lajm të tillë, se në çfarë gjëndje të shëmtuar gjëndet monumenti i Gjergj Kastriotit – Skënderbe në Lezhë dhe bën pyetjen: Kush janë këta njerëz në krye të kombit shqiptar, që lejojnë një gjë të tillë në “ansamblin arkelogjik”, në vendvarrimin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbe? Nga vinë këta njerëz,“liderë” të kombit, nga e kanë origjinën, që lejojnë çkombëtarizimin dhe zhdukjen dalëngadalë të identitetit kombëtar? Interesave të kujt i shërbejnë këta njerëz, që nuk çajnë kokën për dukuri të tilla, si ajo në Lezhë? A ekziston ndonjë gjë e shenjtë për ta në historinë dhe kulturën shqiptare, që duhet mbrojtur? Fati i keq i monumenteve historike dhe kulturore, anë e mbanë Shqipërisë, dihet tanimë. Harroje Gjergj Fishtën, Nënë Terezën e monumente të tjera, shumë prej tyre të shpallura “monumente kulture”, të mbrojtura pra me ligj nga qeveria shqiptare, por që mbrojtje nuk kanë.
Por se do i vinte radha edhe ansamblit arkeologjik tek monumenti dhe vendvarrimi i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbe në Lezhë, është vështirë të merret me mend ose të besohet. Është vështirë, që nga larg të mësohet e vërteta se në çfarë gjëndje është dhe ç’po ndodhë rreth Memorialit të Skënderbeut në Lezhë, pasi mediat e oborrit nuk flasin as nuk shkruajnë.
Por nga një kronikë në Syri TV VIDEO-SYRI TV/ Memoriali i Skënderbeut në Lezhë – Syri | Lajmi i fundit mësova se për vite tani, vizitorët vendas dhe të huaj si edhe vetë banorët e asaj zone, përdorin Memorialin e vendvarrimit të Kryeheroit Kombëtar, Gjergj Kastritoi -Skenderbe, për nevoja personale, pasi ansambli arkeologjik për rreth vendvarrimit të Skënderbeut nuk është i rrethuar. Sipas kronikës të Syri TV, asnjë ent qeveritar nuk ka reaguar për këtë situatë të turpëshme në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë – përveç Avoktatit të Popullit, megjithëse kronika e Syri TV nuk thotë se çfarë tha Zyra e Avokatit të Popullit për këtë situatë të turpshme kombëtare. As nuk pati ndonjë pasqyrim as reagim në media. Por entet qeveritare, që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës, siç është Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, sipas gazetarit të Syri TV, Martin Markut, siç janë, “Bashkia apo Ministria e Kulturës nuk kanë marrë ende masa, për të parandaluar atë që qytetarët e cilësojnë si turp për Lezhën”. Unë do të shtoja se kjo gjëndje e krijuar atje, nuk është vetëm turp për Lezhën, por është turp për Shqipërinë, për qeverinë e saj dhe për Ministrinë e ashtuquajtur të “Kulturës”, që nuk kujdeset as nuk jep fondet, ndërkohë që as nuk tregon vullnetin as interesimin për t’u kujdesur për mirëmbajtjen e vendvarrimit të Shpëtimtarit të Kombit – Gjergj Kastrioti – Skënderbe. Dihet se Monumenti i Gjergj Kastriotit në Lezhë është një prej vendeve më të vizituara nga shqiptarët anë e mbanë botës, por edhe nga evropianë dhe turistë të rajonit. Prandaj është vështirë të merret me mend se kush janë ato mendje të ndritura të “kulturës”, në qeverinë shqiptare, që kanë lejuar që ky monument, tërheqës i turistëve, të bjeri në këtë gjëndje të turpshme dhe të mjerueshme. Kush janë ata njerëz përgjegjës për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës në Tiranë dhe në Lezhë dhe pse duan që duke lenë në harresë vendin më të shenjtë të kombit, t’i tregojnë vizitorëve të huaj këtë pasqyrë të shëmtuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve? TV Syri njofton në kronikën e para disa ditëve se edhe pas një kronike të transmetuar disa javë më parë nga Syri TV dhe pas vërejtjes së bërë nga Avokati i Popullit, institucionet përgjegjëse, sidomos Ministria e Kulturës, me qëndrimet e saj arrogante për mos-përkujdesjen ndaj monumenteve kulturore dhe historike -një arrogancë për të cilën ajo ministri është e njohur tanimë për disa vite. Nuk kanë marrë asnjë masë, për të ndërhyrë. Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, Paulin Zefi tregon edhe se e kujt është përgjegjësia për këtë situatë. VIDEO-SYRI TV/ Memoriali i Skënderbeut në Lezhë – Syri | Lajmi i fundit Sipas një kronike tjetër mbi këtë subjekt, disa javë më parë te Syri TV, thuhet se “Në mungesë të banjove (publike) qytetarët ju drejtohen mureve antikë për të kryer nevojat e tyre personale, duke degjeneruar në këtë mënyrë vlerat historike të këtij qyteti 2400-vjeçar. Ata thonë se mungesa e banjove në qytet është problem mjaft shqetësues, ndaj bashkia duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e kësaj maskarade.”
Me të drejtë, sipas Syri TV, shumë turistë ngelin të tmerruar me ato çfarë shikojnë në një zonë të tillë arkeologjike. Pavarësisht se ky problem vijon prej vitesh ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare,- thuhej në kronikën e transmetuar në Syri TV, disa javë më parë. VIDEO-SYRI TV/ Varri i Skënderbeut kthehet në ba – Syri | Lajmi i fundit. Në atë kronikë të Syri TV theksohet se, “Si në rrallë zona të tilla, ansambli arkeologjik i Lezhës është pa mure rrethues, duke i lënë mundësinë kujtdo të futet në të, lehtësisht, për të kryer nevojat personale, por edhe duke i shkaktuar dëmtime zonës historike, ndërkohë që deri “në qartësimin se e kujt është përgjegjësia për mbrojtjen e këtij monumenti si dhe ndërtimin e një banjo publike në Lezhë, memoriali i Heroit tonë Kombëtar, duket se do të shërbejë ende si nevojtore”,- ka përfunduar kronikën nga Lezha, Syri TV.
E gjithë kjo pasqyrë e shëmtuar për botën ndaj kujtesës së Heroit Kombëtar dhe kulturës shqiptare, në përgjithësi, për mungesën e një muri rrethues dhe një nevojtoreje publike! Diçka vërtetë nuk është në rregull me atë vend. Ndërsa në Tiranë, shemben shtëpitë e shqiptarëve duke i hedhur në rrugë të madhe në pikë të dimërit për t’i lënë vend e hapësirë ndërtimit të pallateve të larta për interesa të errëta kriminale financiare. Qeveria e Shqipërisë nuk gjen dot fonde për ndërtimin e një muri të thjeshtë rrethues të Memorialit të Gjergj Kastriotit- Skënderbe dhe të ansamblit arkeologjik për rreth tij në qytetin e lashtë, Lezhë.
Turp e marre të kini, kushdo qofshi ju: duke filluar nga Kryeministri, Ministria e Kulturës, si dhe e ashtuquajtura opozita politike në parlament, shoqëria civile, por sidomos mediat, që duhet të jenë sytë dhe veshët e shoqërisë, që heshtin përballë një koritje të tillë kombëtare. Ju të gjithë jeni përgjegjës për këtë situatë të shëmtuar, për këtë koritje kombëtare! Është arroganca juaj, moskujdesja dhe mosrespekti i juaj ndaj Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti -Skënderbe, ndaj historisë, identitetit dhe kulturës kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi, por është edhe heshtja juaj ndaj dukurive të tilla, që vendin më të shenjtë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve: kompleksin arkeologjik dhe vendvarrimin e Gjergj Kastrioti-Skënderbe në Lezhë e keni kthyer në një nevojtore publike!
PS- Jo se Ministria e Kulturës e Republikës të Shqipërisë nuk po punon. Njoftohet se muaji i janarit filloi me “punë të mira”, përfshirë “Planin për menazhimin e Pallatit të Brigadave”, e të tjera, si më poshtë…