Ish-gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha do të gjykohet më 14 shkurt. Gjykata e Posaçme e ka shtyrë seancën për ish-magjistraten që akuzohet për korrupsion bashkë me 9 persona të tjerë, pasi gjyqtari Erjon Çela ka munguar për arsye familjare.
Pas një maratone gjyqësore, Prokuroria SPAK ka kërkuar dënim me 3 vjet e 6 muaj burg për Enkelejda Hoxhën, sepse kjo e fundit ka pranuar fajësinë dhe gjykimin e shkurtuar. Të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim me ish-gjyqtaren lironin persona të dënuar.
Kujtojmë që gjyqtarja Enkelejda Hoxha së bashku me 9 të tjerë janë arrestuar me urdhër të SPAK teksa ishin në seancën gjyqësore dhe bëheshin gati t’i jepnin lirinë Sajmir Petanit, i dënuar për vrasje.
Ajo ka firmosur lirimin nga burgu të anëtarit të bandës së Durrësit, Endrit Dokle, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Po ashtu Hoxha ka liruar nga burgu Genc Tafilin, i dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë Arben Zylyftari si dhe Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.