Kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për Bashkinë Durrës, Ardian Muka, është shprehur në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se ai nuk ka kandiduar rastësisht, pasi prej 20 vitesh është pjesë e Partisë Demokratike.
Gjithashtu, Muka është shprehur se socialistët kanë fituar Durrësin këto vite, pasi PD-ja në këtë qytet është tradhtuar nga Lulzim Basha.
“Kandidimi ka qenë një dëshirë dhe një reflektim i imi. Jam pjesë e politikës së djathtë prej më shumë 20 vitesh, jam edhe qytetar i Durrësit. Në kontakt me qytetarët ishte një dëshirë edhe e tyre për të parë një bir të tyre në politikë.
Unë vij nga një familje durrsake, ku prej më shumë se 170 vitesh jemi në Durrës. Djali im është brezi i gjashtë që lind në Durrës. Nëna ime vjen nga Kosova, e cila ka ardhur pas viteve 40’ në Shqipëri‘, tha Muka.
Muka tregoi edhe sesi Basha e ka mashtruar në vitin 2015.
Pjesë nga biseda:
Ardian Muka: Përveç makinerisë së PS, ka edhe problematika për atë që PD është në Durrës, por nga faktet e fundit, ne kemi qenë të tradhtuar në misioni tonë nga kryetari i Partisë…
Ylli Rakipi: A e njhni Luli Bashën? Kur e kuptove që ishte ky person?
Ardian Muka: Me deputetin Basha kam patur marrëdhënie institucionale. Në 2015 më është ofruar të isha kandidat për zgjedhjet në Durrës. Në momentin e fundit u bë zgjedhja me marifete.
Ylli Rakipi: Këtë e ka bërë vazhdimisht ai, cakton 4-5 në një detyrë. Kë caktoi Basha?
Ardian Muka: Zonjën Grida Duma. Në atë moment thyhesh, sepse besojmë në një kauzë. Por, nga ai moment mes meje dhe zotit Basha nuk ekzistonte më besimi.