Pas dënimit me 2 vite burg në dy Shkallët e Gjyqësorit, Adriatik Llalla, ish kryeprokurori i Përgjithshëm, vazhdon të jetë nën hetim për akuzën e “Fshehjes së pasurisë” nga ana e SPAK.
Kjo e fundit disa ditë më parë ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatë për pushimim e këtyre hetimeve.
Burimet nuk bëjnë me dije objektin e hetimit, pra nëse kemi të bëjmë me të njëjtat rrethana, por konfirmojnë se kërkesa për pushimin e tyre është bërë me argumentin se është gjykuar njëherë për të njëjtën vepër penale.
Apeli i Posaçëm e dënoi Llallën me burg për tre vepra penale, përfshirë fshehjen e pasurisë, ndaj dhe SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes së hapur veçmas, sa kohë që ish-kryeprokurori është dënuar njëherë për këtë vepër penale.
Llalla aktualisht ndodhet në Itali, aty ku duket se po zhvillon një betejë të fundit për të shmangur vuajtjen e dënimit me burg dhënë nga Gjykata e Apelit.