Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo beson se në Ukrainë nuk do të ketë luftë. Ai duke komentuar situatën e cila duket tepër e tensionuar dhe mund të përshkallëzojë nga momenti në moment, Milo thekson se dy palët Rusia dhe Perëndimi i kanë të qarta pretendimet e tyre.
Megjithatë, ai thotë se nuk do të shkojë te lufta. Sipas Milos ajo që po ndodh është një përplasje diplomatike e fuqishme ku përdoren presione të forta.
“Ajo që po ndodh është një rivalitet mes Rusisë dhe Perëndimit. Synimet e gjithësecilit janë të qarta. Rusia nuk do në kufi NATO-n sepse e lidh e sigurinë e saj. Nuk do armatime në vendet e afërta të NATO apo edhe në Ukrainë. Rusia e ka të qartë çfarë nuk do. Kurse Perëndimi e ka të qartë se çfarë duan. Ata duan që Ukraina të bëhet anëtare e NATO. Këtu është përplasja. Nga pozicioni që kanë palët duket s e nuk ka zgjidhje. Unë nuk besoj se do të shkojë në luftë.
Nuk do të jetë luftë klasike. Është një përplasje diplomatike e fuqishme ku përdoren presione të forta. Në presionet e forta për të arritur rezultat përdoren edhe manovrat ushtarake dhe mjete të ndryshme. Janë modele të ushtrimit të presionit si armë diplomatike. Kush fiton betejën e nervave fiton më shumë në tavolinë.
E vutë re sot si është dhënë takimi i Putin dhe Lavrov. Pse nuk e bënin bisedën ata pa e filmuar. Ajo është bërë për t’i dhënë mesazh perëndimit.
Unë them që do të bëhen përpjekje pasi të jenë konsumuar të gjitha këto presione të forta, pasi edhe kancelari gjerman të flasë nesër me Putin”, tha Milo për Abc News.