Shqipëria mund të ketë hedhur hapa pas kur vuri fokusin e menaxhimit të mbetjeve në një alternativë si ajo e inceneratorëve që në piramidën e mënyrave më të preferuara për uljen e ndotjes dhe riciklimin në Bashkimin Europian ndodhet e fundit.
Banka Botërore ka sjellë edhe një herë në vëmendje këtë aspekt Memorandumin e ri Ekonomik të saj me Shqipërinë i titulluar “Forcimi i qëndrueshmërisë së Modelit të Rritjes së Shqipërisë”. Duke u ndalur në problematikën reale që hasin sektorë si turizmi dhe bujqësia nga ndotja dhe mbetjet Banka ka nënvizuar edhe shqetësimin që lidhet me inceneratorët. “Ndërtimi i inceneratorëve të rinj paraqet gjithashtu shqetësime sa i takon pajtueshmërinë me acquis të BE-së për mbetjet, duke përfshirë parimin e hierarkisë së mbetjeve dhe objektivat e riciklimit” thuhet në raport.
“Shqipëria gjendet mes vendeve me përqindjen më të lartë të të keqmenaxhimit të rrjedhës së mbetjeve në Mesdhe me (73 për qind), pas Malit të Zi (95 për qind) dhe Egjiptit (93 për qind), e ndjekur nga Libia (64 për qind) Aktualisht, ekzistojnë disa instrumente ligjore dhe ekonomike për të rregulluar, financuar dhe stimuluar përpjekjet për menaxhimin e mbetjeve, duke përfshirë mbrojtjen e mjedisit detar. Strategjia e re kombëtare 2020–2035 për menaxhimin e integruar të mbetjeve synon të inkorporojë parimet e ekonomisë qarkulluese në sistemin kombëtar të menaxhimit të mbetjeve. Megjithatë, rreth 30 për qind e popullsisë nuk shërbehet nga infrastruktura e menaxhimit të mbetjeve, duke inkurajuar depozitimin e mbetjeve në vendgrumbullime apo vend depozitime të vjetra. Mbetjet shpesh hidhen ilegalisht në lumenj apo liqene – duke ndotur përfundimisht degët ujore dhe bregdetin e Shqipërisë” nënvizon BB.
Ky i fundit nënvizon se ka disa ndikime që mund të japin mbetjet detare tek bashkitë bregdetare të tilla si: (i) humbja e vlerës së komoditetit dhe kostot e drejtpërdrejta ekonomike nga rreziqet e shëndetit publik; (ii) mundësi të reduktuara rekreative; (iii) publiciteti dhe reputacioni negativ; dhe (iv) kostot që lidhen me pastrimin e plazhit dhe mbledhjen dhe depozitimin e mbetjeve. Me 60 për qind të popullsisë shqiptare që jeton në zonat bregdetare, efektet e ndërtimeve intensive, rritja e turizmit bregdetar dhe menaxhimi jo i përshtatshëm të mbetjeve mund të çojnë në një përkeqësim të cilësinë e mjedisit bregdetar dhe detar. / Marrë nga Monitor.al