Nuk mendoni se ka diçka që nuk shkon tek ata që s’e shohin Big Brother, në një kohë që ndjekin çdo ditë kacafytjet politike?- Nga Mustafa Nano

0
51
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Të premten ndoqa një pjesë të mirë të programit Big Brother VIP. Ishte hera e parë. Deri në atë moment, kisha ndjekur ndonjë fragment duke ardhur rreth në shtëpi, teksa e ndiqnin të tjerët, por asgjë më shumë. Ah, kisha ndjekur edhe jehonën e programit që më vinte nga raportimet e shumta nëpër portale, përfshirë edhe babel.al-in. Nuk është se kam pasur ndonjë gjë me personazhet që ishin bërë pjesë e kësaj loje. Jo, unë e kam me formulën televizive. Programet reality show nuk më pëlqejnë. Mendoj se njeriu mund të bëjë gjëra më të mira sesa të shohë ato, e në përgjithësi sesa të shohë televizor. Unë personalisht kam plot gjëra më të mira për të bërë.

Por robi ka nevojë të shlodhet herë pas here, dhe për t’u shlodhur mjafton edhe një pasazh nga programi Portokalli, al Pazar, Klanifornia apo Kosherja, mjafton edhe pallati 176 apo filmi Kapedani (ky i fundit më pëlqen shumë, meqë ra fjala). Dhe kështu, të premten, nën garancitë që më dha shoqja ime se nuk do të ishte aq e kotë sa unë mendoja, u vumë të dy të ndiqnim BBV-në, pasi në atë fazë të lojës, në finale apo pranë finales, në shtëpi kishin mbetur më të mirët, e për rrjedhojë loja pritej të ishte interesante.

Janë të shumtë ata që e kanë përbuzur këtë program. Dhe e bëjnë me mburrje. Ok, ndonjëri syresh edhe duhet besuar. Sepse, ju thashë, njeriu mund të refuzojë edhe formulën (si rregull duhet të ketë njerëz, për të cilët nuk është ndonjë qejf i madh të ndjekin me ethe voyeuriste jetët e të tjerëve në TV), mund të refuzojë edhe televizionin. Por nuk di pse besoj se të shumtët shtiren. Flasin keq për një program që e ndjekin që ç’ke me të. Flasin keq sepse duan të duken modernë. Dhe kjo nuk është një hile shqiptare. Kudo shtiren. Edhe në botën perëndimore. Shtiren, fjala vjen, se kanë mirëkuptim e solidaritet për transgender-at, s’ka gjë se në të vërtetë është krejt e kundërta, nuk i durojnë dot. Ose një shembull tjetër: ka amerikanë në ditët e sotme që shtiren se nuk e duan Trumpin. Votojnë për Trumpin, por u vjen turp ta pranojnë, ngaqë janë të vetëdijshëm se ka diçka të çuditshme te Trumpi, e ngaqë e dinë mirë se çfarë ata pëlqejnë te Trumpi është pikërisht kjo “gjë e çuditshme”, për të cilën të tjerët Trumpin e tallin, e përbuzin, e konsiderojnë një rrezikzi. Po ndodh me ta siç ka ndodhur me italianët deri para ca kohësh, kur Berlusconi ishte në kulmin e vet. Ishin të shumtë italianët që e votonin, por asnjëri nuk pranonte faqe botës që e bënte këtë. Në një kontekst ndërkombëtar, në të cilin Berlusconi ishte bërë gazi i botës, atyre nuk ua mbante ta pohonin simpatinë ndaj “gaztorit” italian, s’ka gjë se thellë-thellë e donin atë pikërisht për po ato arsye që të tjerët e përqeshnin.

Programi Bog Brother VIP nuk ishte i keq. Ishte diçka që mund të ndiqej pa provuar ndonjë parehati etike, ndonjë sforcim mental apo apo ndonjë trazim shpirtëror. Personazhet e atyshëm, të paktën këta që kanë mbetur në këtë fazë të lojës, m’u dukën robër për së mbari. Ishin mendjehapur, pa komplekse, nuk dinin të paragjykonin tjetrin, nuk vura re tek ta ndonjë sjellje afër harbutes, ndonjë shenjë të mendësive patriarkale, mizogjine, e kështu me radhë. Nuk kishte asgjë që nuk shkonte me çfarë ata nxirrnin nga goja e me mesazhet që ata përcillnin me gjithë sjelljen e fjalët e tyre. Katër lojtarët që kanë mbetur në atë shtëpi m’u dukën më të hijshëm (në çdo pikëpamje) sesa 95% e personazheve publike shqiptarë. Dhe me siguri janë më të hijshëm sesa ata që nuk lënë kritikë pa bërë për programin Big Brother VIP, teksa s’e kanë për gjë të ndjekin si të babëzitur shfaqjet politike në orarin më të mirë televiziv (nga ora 21.00-23.00), që janë krejt të pangjërueshme.

Të ndjekësh pa provuar ndonjë sëkëlldi jetën politike e publike shqiptare, e cila dominohet nga pacipësia, egërsia, vulgariteti, gjestet e paskrupullta e mendësitë prapanike (ka ca që kanë alergji nga kjo fjalë, “prapanike”, por mua vijon të më pëlqejë shumë) e t’i japësh munxët Ilirit, Donaldit, Beniadës e Einxhellit, duke i konsideruar këta të fundit si qënie skarco, vanitoze e patetike, si një standard i ulët, se të ishte ndryshe nuk do të kishin pranuar të shkonin në një atë program, t’u japësh pra munxët atyre është në rastin më të mirë hipokrizi. Mua më duhet ta them pa patur frikë se gaboj: Mes asaj që na ofrojnë televizionet shqiptare në ditët e sotme, programi Big Brother VIP hyn tek gjërat më të mira e më të rafinuara./Babel.al

Zjarr Tv Ad