Nga Lutfi Dervishi
Zgjatja e afatit për komisionet e vetingut ka mbyllur një dilemë sa i përket përfundimit të pastrimit të sistemit gjyqësor, por ka lënë të hapur pyetjen: Kur do të vijë dita që drejtësia e re të jetë e aftë dhe kurajoze për të pastruar dy pushtetet e tjera (Parlamentin dhe Ekzekutivin)?
Institucionet e reja të drejtësisë të dala nga reforma sot i ngjajnë një pacienti që ka dalë nga një operacion i vështirë dhe që çapitet me patericat (e ndërkombëtarëve).
Pacienti ende ka nevojë për kujdes dhe do t’i duhet kohë t’i dalin “thonjtë”, të ecë vetë dhe të mos ketë frikë nga bubullimat e pushtetit.
Ka një pritshmëri të madhe dhe të tepruar ndaj SPAK-ut. Janë vetëm 15 prokurorë që kanë kaluar vetingun (dhe kjo nuk është pak). Kjo trupë prokurorësh ka mbështetje të madhe ndërkombëtare, por që sot për sot i “mungon” mbështetja e opinionit publik.
Për çdo akuzë të madhe dhe të vogël, serioze dhe qesharake, adresa mbetet vetëm një: SPAK!
Deri më sot, SPAK-ut i ka munguar kuraja të hetojë njerëz në pushtet, por ka dëshmuar se e ka kurajën për të hetuar ish pushtetarë. Kjo nuk është pak.
Prokurorët e SPAK, nuk janë prokurorë robot që nuk ndikohen nga ambienti ku jetojnë e punojnë. Dita që ata të hetojnë me kuraja dhe njerëzit në pushtet mund të mos jetë e largët, por pastrimin e përgjithshëm nuk mund ta bëjnë dot vetëm 15 njerëz. SPAK mund të bëjë shumë punë me kusht që të ndihmohet edhe nga ne, votuesit.
Nëse nuk reformohet sistemi politik për të pastruar elitën politike me votë do të jetë shumë e vështirë për të bërë “kërcimin e madh”!
“Pazari” është i thjeshtë. Publiku bën rotacionin dhe SPAK bën drejtësi. Përndryshe do të duhen dekada për të pastruar politikën.
Ditën që policia në Austri bastisi zyrën e kancelarit dhe zyrën e partisë tij, guximi i kryepolicit në Tiranë shkonte deri te shkrimi i një letre falënderimi për kryeministrin! Nëse i referohemi rastit të ditëve të fundit të kryeministrit britanik Boris Xhonson që po hetohet nga policia për shkelje të rregullave të Covid-it, e kupton se rruga përpara është e gjatë, por rastet e fundit janë shpresëdhënëse: nëse publiku ndëshkon me votë zullumin, drejtësia e re e ka më të lehtë të bëj drejtësi me atë që nuk është në pushtet.
Për momentin kjo nuk është pak!