Shtohen zërat se një zyrtar i lartë i mazhorancës qeverisëse socialiste do të bjerë në rrjetën e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Gjatë këtyre ditëve në korridorët e politikës ka zëra se një ministër ose eksponent i lartë i Partisë Socialiste mund të arrestohet, ndërkohë që për këtë çështje ka folur edhe gazeta në shkrimet e kaluara.
Por sinjale se politika do të tronditet nga një arrestim “VIP”, dje ka dhënë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula. Ky i fundit teksa ndodhje dje në një studio televizive zbuloi se këto ditë do të arrestohet një zyrtar i lartë që është përfshirë në aferën e inceneratorëve, ndërsa gjithashtu bëri me dije Byroja e Hetimit ka hapur dosjet për shumë politikanë.
Sipas tij, në dy vitet e fundit në Shqipëri ka për të marrë fund pandëshkueshmëria. Madje deputeti i PD shkoi më tej kur tha se kushdo që ka abuzuar me paratë publike në këto tre dekada demokraci duhet të japë llogari para drejtësisë.
“Priten arrestime në të gjitha nivelet. Edhe të djeshmen, që ka qenë në mazhorancë, ish-ministra apo ish-deputetë në qeverisjen e PD, apo edhe nga 2013-2021 e kam bindje dhe pa diskutim. Do ketë një lajm të madh këto ditë, nga kampi i mazhorancës. Kam inkurajuar SPAK-un, do kohë të bëhet një dosje, edhe BKH që ka filluar punën për shumë politikanë, në 2022 dhe vitin 2023 përfundimisht, do marri fund pandëshkueshmëria e politikanëve në Shqipëri. Gjatë 30 viteve, nga i pari te i fundit, nga Nano, qeveria e parë, Ylli Bufi, apo Edi Rama, nëse këta kanë futur duart në fondet publike, do duhet të dalin para drejtësisë”, deklaroi ai.
Më tej gjatë fjalës së tij deputeti demokrat, Dashnor Sula shprehu keqardhje për gjendjen ku ndodhet sot Partia Demokratike, ndërsa theksoi se nuk i vjen keq as për Bashën dhe as për Berishën, por për demokratët. Madje Sula theksoi se situata në kampin blu favorizon vetëm Edi Ramën. “Shtëpia e Lirisë” është diçka e fshehur, që s’bëhet fjalë për PD, por për LSI. Nuk e mendoja se njerëzit e PD t’i binin shtëpisë së tyre me të gjitha format për ta shkatërruar. Basha ka problemet e veta, po për inat të Bashës të shkatërrosh PD-në? Nga kjo situatë përfiton vetëm Edi Rama i cili është kthyer në sulltan.
Më 6 mars shpresoj që qytetarët të jenë sa më të kthjelluar”, u shpreh ai. Ndërkohë duke komentuar përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, Sula u shpreh se ndjen keqardhje. Ndërsa veprimet e Bashës, Sula i cilëson si personale, në dështim apo në sukses. “Si njeri, nga pikëpamja njerëzore, Berisha ka të drejtë për të luftuar për dinjitetin e vet. Por përdorimi i PD s’është i drejtë. Vinim nga një goditje e madhe më 25 prill. Foltorja shkundi strukturat. Do ishte momenti të vazhdonte demokratizimi i partisë. U prishën rregullat, hyri në një vorbull që arriti në këtë pikë. Si mundet, më vjen keq kur artikuloj që Berisha është ‘non grata’. S’mund të them që PD dhe Basha nuk kanë mbështetje”, nënvizoi deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula.