Rama mesazh ministrave të përfshirë në aferën e inceneratorëve: Secili do mbajë përgjegjësi individuale, kush vjedh do ndëshkohet

0
44
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Teksa vendi zien nga debati për inceneratorët, kryeministri Edi Rama iu ka dërguar dje një tjetër mesazh ministrave të përfshirë në këtë aferë, duke iu kërkuar që t’i dalin zot vetes nëse kanë punë të hapura me drejtësinë. Kryeministri Rama ka shfrytëzuar disa replika me qytetarët në rrjetet sociale në lidhje me inceneratorët, ndërsa theksoi se mazhoranca socialiste dhe qeveria që ai drejton distancohet nga kushdo që është përfshirë në afera apo skandale. Kështu qytetarët thonë se inceneratorët s’janë gjë tjetër veçse skemë e vjedhjes së parave të tyre. “O njisho shiko mor burrë se po ikin paratë tona po zhduken pa lënë gjurmë nëpër këto të ashtuquajtura inceneratorë… kush e shpiku në Shqipëri këtë mënyrë grabitje të parave tona”, u shpreh një qytetar.

Rama: Secili do mbajë përgjegjësi individuale

Por në përgjigje të komentit të qytetarit, kryeministri Edi Rama i cilësoi inceneratorët impiante moderne për trajtimin e mbetjeve dhe se sipas tij, ato janë investime të mëdha për të shpëtuar shumë zona nga plehrat. Ndër të tjera Rama kujton se një ish-ministër është vënë në pranga dhe drejtësia do të thotë fjalën e saj, duke iu referuar arrestimit të ish-ministrit Lefter Koka, ndërsa i quajti akuzat e PD-së si tymnajë e vulëhumburve politikë. “Ato të “ashtuquajtura inceneratorë” janë impiante moderne trajtimi të mbetjeve, të cilat janë investime të mëdha për të shpëtuar zona të tëra të banuara nga plehrat, ndërkohë që këtu s’ka asnjë shpikje për të grabitur paratë e tua, po ka një shpifësirë politike shifrash marramendëse e akuzat monstruoze, ndërkohë që gangrenat mjedisore të plehrave si puna e Sharrës janë mbyllur dhe retë toksike të tymit nga djegia e tyre në natyrë janë zhdukur! Është arrestuar një ish-ministër me akuzën për marrje parash nga kompania dhe për këtë drejtësia do të thotë fjalën e saj patjetër, por kjo është çështje përgjegjësie individuale para ligjit! Kurse të thuash që na qenkan vjedhur qindra miliona euro, kur veprat janë aty e kur puna e bërë është para syve, e kur ato qindra miliona euro nuk janë hiç asfare as ashtu e as aq sa thuhen, kjo është një tymnajë të cilën faktet reale dhe procesi i nisur nga organet reale hetimore, përtej farsës së shpifur të vulëhumburve politikë, do ta tresin njësoj si tymnajat e plehrave të Sharrës”, shkruan ai.

Kryeministri: Kush vjedh do ndëshkohet

Megjithatë debati ka vijuar, teksa një komentues tjetër i kërkoi llogari kryeministrit Edi Rama dhe me ironi i tha se për qeverinë kanë më shumë rëndësi ndërtesat e inceneratorëve dhe jo grabitja e pasurisë publike. “D.m.th ju thoni le të vjedhin sa të duan rëndësi ka që godinat janë aty”, shkruan qytetari. Por në replikë e sipër, kryeministri Rama u shpreh se çdo zyrtar që vjedh do të ndëshkohet. “Jo unë nuk them fare ashtu, përkundrazi, unë them cilido që vjedh duhet të marrë dënimin e merituar, pa asnjë dallim, por përgjegjësia në këtë sistem që kemi zgjedhur, domethënë në demokraci, është individuale e para dhe e dyta, nëse dikush në këtë rast ka marrë para nga kompania përkatëse, kjo as nuk hedh poshtë tërë atë punë që është bërë nga institucionet për të shëruar plagët e tmerrshme mjedisore, as nuk i bën të gjithë njësoj?, nënvizoi Rama.

Zjarr Tv Ad