Në një takim me fermerët në Lushnje, lideri historik i demokratëve, Sali Berisha tha se këto zgjedhje janë lokale, por mesazhi i tyre është kombëtar.
“Këto janë zgjedhje lokale, por mesazhi është i përgjithshëm. Mesazhi duhet të jetë ndryshimi. Vota jonë është një detyrim ndaj të rinjve që po ikin. Të paktën të shohin se ka filluar ndryshimi.
Duhet të bëjmë gjithçka për ndryshimin. Nga viti 2007 deri në vitin 2014, popullata nisi të rritej në Shqipëri. Sepse pati shpresë. Nuk them se ishim zgjidhur problemet, por kishte shpresë. Nisën të kthehen nga emigracioni njerëzit. Është detyrimi ynë moral të bëjmë gjithçka për ta, që t’ua kthejmë shpresën atyre.
Ndaj mbështetja e kandidatit tonë, Elton Bano, është një mbështetje për shpresën, për ndryshimin. E shihni në krahun tjetër, vetëm një aferë kushton 420 milionë euro për 3 inceneratorë. Nëse këto 420 milionë euro do ishin investuar në bujqësi, të gjithë kanalet vaditëse do ishin rregulluar në të gjithë vendin.
Ne ftojmë të gjithë qytetarët që votojnë më 6 mars, që të votojnë kandidatët e Shtëpisë së Lirisë. Të mos votojnë kandidatët e inceneratorëve, përfaqësuesit e krorupsionit më të shëmtuar. Të mos votojnë kandidatët e veglave të Edi Ramës, të Toyota Yaris, të Nick Muzin. Të votojnë njerëzit e lirë siç është Elton Bano,” tha Berisha.