Presidenti i vendit Ilir Meta ka dekretuar me shpallje 3 ligje, që kanë kaluar disa ditë më parë në Kuvend. Meta ka dhënë rekomandimet e rastit për zbatimin e të 3 ligjeve.
Ligjin nr. 14/2022 Për një ndryshim në ligjin nr. 7918, datë 13.4.1995, Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 1030, datë 23.2.1995, Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve të privatizimit) dhe dekretit nr. 1049, datë 27.3.1995, Për disa plotësime në dekretin nr. 1030, datë 23.2.1995 , të ndryshuar.
Ndryshimet në këtë ligj, edhe pse të përsëritura, vlerësohen të nevojshme për sa kohë synojnë shtyrjen e afatit të vlefshmërisë deri 31.12.2023, të bonove dhe lekëve të privatizimit, duke krijuar mundësinë për personat që zotërojnë bono e lekë privatizimi, që t’i përdorin ato edhe gjatë viteve 2022 dhe 2023.
Ligjin nr. 15/2022 Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 105/2016 Për mbrojtjen e bimëve.
Pavarësisht se ligji bazë është miratuar në vitin 2016, ndryshimet që synojnë forcimin e rregullave për mbrojtjen e bimëve, produkteve bimore dhe objekteve të tjera nga dëmtuesit, si dhe parandalimi i hyrjes dhe i përhapjes së dëmtuesve të rregulluar karantinorë dhe jokarantinorë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë për t`u vlerësuar.
Ligjin nr. 18/2022 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Kuadër për Etikën në Turizëm dhe protokollin opsional të saj”.
Autoritetet publike veçanërisht duhet të sigurojnë mbrojtje të vazhdueshme dhe ofrojnë siguri për turistët e huaj, si dhe të angazhohen në forcimin e burimeve të turizmit, zhvillimit të politikave të qëndrueshme në këtë drejtim, që mbajnë në konsideratë edhe respektimin e të drejtave të të punësuarve në sektorin e turizmit.