Deputetë të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës kërkuan nga Qeveria që të ndërpresë dialogun teknik me Serbinë dhe të vazhdojë me bisedimet e nivelit të lartë, me qëllim arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Në një seancë parlamentare, të mbajtur të premten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, si kërkues i kësaj seance, tha se çështja e dialogut është interes kombëtar.
Të kalojë në fazën finale dialogu, në marrëveshjen e madhe, me të cilën do të kërkohet njohja reciproke Kosovë-Serbi, në kufijtë ekzistues. Bazuar në tri parimet e dakorduara edhe me negociatorët ndërkombëtarë, pra: integriteti territorial, sovraniteti dhe kushtetueshmëria, tha Haradinaj.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011, fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më vonë në nivel politik midis kryeministrash dhe presidentësh. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti i Kosovës nuk është i varur nga njohja e Serbisë.
Ne nuk e kemi shpallur pavarësinë që ta zëvendësojmë varësinë nga Serbia me varësi nga njohja e saj. Kemi treguar që shteti dhe populli i Kosovës janë të përcaktuar në rrugën evropiane dhe euroatlantike, që ne e bëjmë shtetndërtimin demokratik, e bëjmë sundimin e ligjit dhe zhvillimin socio-ekonomik, përkundër problemit që kemi me Serbinë”, tha Kurti.
Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – si bartës të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nuk janë takuar qysh në korrik të vitit të kaluar. Më 22 shkurt, kryenegociatorët e çështjeve teknike, Besnik Bislimi i Kosovës dhe Petar Petkoviq i Serbisë, kanë zhvilluar takime dypalëshe me zyrtarët e BE-së, por nuk ka pasur takim të përbashkët midis tyre.
Një ditë në vonë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se palët kanë arritur progres drejt një marrëveshjeje, por nuk ka dhënë më shumë detaje Qeveria e Kosovës ka njoftuar të mërkurën se gjatë takimeve është folur për energjetikën në kuadër të një marrëveshjeje ekzistuese.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, kërkoi të premten nga Qeveria e Kosovës që të fokusohet te marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Të insistojë në qëllimin kryesor të dialogut dhe të dialogojë më shumë me partnerët tanë, me shtetet e QUINT-it [SHBA-në, Britaninë, Italinë, Gjermaninë dhe Francën], sesa me Serbinë. Vetëm dakordimi me to mund të sigurojë sukses në këtë proces, u shpreh Hoti.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se është i vetëdijshëm se dialogu Kosovë-Serbi është një proces i vështirë, por, pavarësisht kësaj, shtoi ai, Qeveria duhet t’i tregojë popullit të Kosovës se si do të veprojë.
Më 16 shkurt, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Uashingtoni ia ka bërë të qartë Qeverisë së Kosovës, se për të arritur deri te njohja reciproke me Serbinë, duhet të bëjë kompromise.