As kriza nuk e bëri Kryeministër

0
63
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Enton Abilekaj

I pyetur në Konferencën për shtyp pas Samitit të Jashtëzakonshëm të NATO-s, nëse qëndrimi i Serbisë kundër sanksioneve për Rusinë do të ndikonte në “Ballkanin e Hapur”, Kryeministri Rama u përgjigj: “Ne nuk kemi pasur ndonjë mungesë qartësie apo informacioni për pozicionin e Serbisë nga pikëpamja e politikës së jashtme kur kemi nisur këtë proces. Nuk kemi pritur që të sulmohej Ukraina që të zbulonim lidhjet e Serbisë me Rusinë. Përsa i përket ecurisë së mëtejshme të Ballkanit të Hapur kjo është një cështje që pret pasi do të shikojmë në vijim shumë gjëra se si do të zhvillohet ky proces.

Nuk jemi në Ballkanin e Hapur për të përputhur miqësitë, për të bërë Serbinë aleate të SHBA-së. As ne nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qëndrimin ndaj Moskës. As nuk na ka shkuar ndërmend kjo gjë. Marrëdhëniet tona në funksion të Ballkanit të Hapur janë strategjike rajonale për të shmangur rritjen e konfliktit që do t’i bënte një dëm të paparë rajonit. Ballkani i Hapur është më shumë sesa një projekt lokal, është një projekt që mbështetet nga SHBA dhe nuk e ka më atë kundërshti që ka pasur. Për momentin nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”.

Duket vërtet sikur nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, përderisa qëndrimi i Serbisë nuk është i papritur. Deri në momentin që efektet e luftës dhe sanksioneve, me të cilat Shqipëria është bashkuar, të japin efektet në ekonomi. Çmimet e karburanteve që u rritën që përpara krizës, pritet të rriten akoma në bursën ndërkombëtare dhe sigurisht në Shqipëri. Importuesit e miellit lajmëruan mëngjesin e së enjtes, se çmimi do të rritet, për shkak të fillimit të luftës dhe vendosjes së ndërsjelltë të sanksioneve.

Të paktën dy artikuj bazë do të rriten në tregun ndërkombëtar, jo vetëm për ata që importojnë direkt nga Rusia, por edhe për ata që blejnë në bursë, apo nga vende të tjera. Kjo sepse, me izolimin e Rusisë, nafta dhe gruri do të jenë dy produktet kryesore që do të mungojnë në tregun ndërkombëtar.

Mëngjesin e sotëm, Presidenti i Francës, Emanuel Macron, u dha një mesazh mbështetës bujqve, pasi i paralajmëroi se lufta do të jetë e gjatë. “Po ndërtojmë një plan qëndrueshmërie”, u tha Macron, që në janar shpalli një ndihmë 270 milionë euroshe vetëm për rritësit e derrave, në vështirësi për shkak të rritjes së çmimit të drithit.

Ushqimi i kafshëve për blegtorët dhe çmimi i karburanteve për bujqit, do të jenë dy sfida edhe për Shqipërinë, si për gjithë vendet e NATO-s dhe BE-së. Në Ballkan vetëm Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve, duke garantuar kështu furnizimin direkt nga Serbia edhe gjatë krizës. Kjo do ta avantazhojë Serbinë, në dy produktet bazë për industrinë dhe bujqësinë, sic janë energjia dhe drithi. Nëse nga janari deri sot, Serbia kishte avantazhin e subvencionit të Bujqësisë, rreth 10 herë më shumë se Shqipëria, pas sanksioneve ruse, ky avantazh do të thellohet, bujqit dhe blegtorët shqiptarë do të familentojnë më keq, bashkë me industrinë përpunuese që varet prej tyre.

Ky është aspekti i parë, llogaria më e thjeshtë ekonomike. E dyta është se, nëse Serbia do të vazhdojë normalisht marrëdhëniet tregtare me Rusinë, Shqipëria nuk mund të mbajë premtimin për sanksione, pikërisht për shkak të “Ballkanit të Hapur”. Mallrat ruse mund të hyjnë nëpërmjet Serbisë, pa kontroll dhe pa taksa, vetëm me një certifikim nga Serbia, për shkak të marrëveshjeve që kanë hyrë në fuqi në janar.

As qëllimi i shpallur nga Rama për shmangien e konfliktit në rajon, nuk mund të arrihet, me këtë pozicion që ka zgjedhur Serbia. Vizita e Sekretarit të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev në Serbi, që pasoi akuzat e Ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, për mercenarë shqiptarë dhe boshnjakë në Ukrainë, shkaktoi shqetësim në Perëndim. Brishtësia e Bosnjës, që prej më shumë se 1 viti është në krizën e “Republika Srbska” ishte shqetësimi i parë, pas vizitës së Patrushev. Mediat perëndimore paralajmëruan për mundësinë e krijimit të një vatre paralele konflikti, për të shpërqëndruar Perëndimin që po mbështet me mjete dhe financa Ukrainën.

Serbia, si mikpritësja ruse në Ballkan, me baza ushtarake dhe influencë, duke mos u përfshirë në sanksione, mbetet qendra operacionale e Putinit për të destabilizuar rajonin dhe vecanërisht Bosnjen, në prag të ndarjes. Për këto arsye, përgjigjja e Ramës në konferencën e mbrëmshme, nuk kishte asnjë ngjashmëri me qëndrimin e një Kryeministri. As mbrëmë, kur partitizmi u la mënjanë përballë krizës ndërkombëtare, ai nuk arriti të sillej si Kryeministër, duke e humbur shansin edhe në vitin e 9-të të qëndrimit në zyrë./Dosja.al

Zjarr Tv Ad