Avokat Spartak Ngjela ka komentuar situatën e luftës në Ukrainë, duke theksuar se të gjithë popujt e kërcënuar nga Rusia këto ditë kanë kuptuar se heroizmit popullor nuk i reziston dot asnjë agresor.
Në një reagim në Facebook, Ngjela thotë se Putini i ka hipur dhe po nget me shpejtësi trenin për humnerë.
Postimi i plotë:
Të gjithë popujt e kërcënuar nga Rusia këto ditë kanë kuptuar se heroizmit popullor nuk i reziston dot asnjë agresor. Por, si e vërtetë tingëllon sot shprehja e famshme e shkrimtarit të madh francez Jackues de Lackretelle: “Qyteti ka një fytyre, atdheu ka një shpirt”.
Këtë nuk e kanë ditur kurrë agresorët dhe pushtuesit; kur ata kanë menduar se me bombardimin e qytetit kanë vrarë shpirtin e atdheut. Sot po spikat shpirti i popullit ukrainas i sulur realisht drejt heroizmit. Se heroizmi kombëtar vjen nga shpirti i atdheut.
Sot, heroizmi ukrainas ka ngritur lart në potencë të gjithë heroikën kombëtare të popujve të kërcënuar, midis tyre dhe ne shqiptarëve. Duhet të jemi të qartë për historinë që vjen, dështimi Putin, është sukses i madh i vijueshëm për botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Dhe është sukses historik.
E keni parë si flet për Kosovën Vladimir Putin! Asgjë nuk na bëri dot. Unë e shoh që ai i ka hipur dhe po nget me shpejtësi trenin për humnerë. Suksesi i Ukrainës është edhe suksesi ynë.