Qeveria shqiptare, përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave i dha ditën e djeshme përdorimin e detit dhe të plazhit në një nga zonat më të lakmuara të vendit, në Gjilekë të Himarës, një kompanie para së cilës fshihet Artan Gaçi, ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe bashkeshorti i ministres Olta Xhaçka.
Sipas letrave, kompania që do të investojë në resortin me vila luksoze në plazhin e Gjilekës është AGTCC Hotel Management.
Kompleksi me emrin “Dreamades Luxury Suites” mori vitin e kaluar statusin e investitorit strategjik. Sipas dokumenteve në QKB, pas kësaj kompanie qëndron një shtetase amerikane nga Massachusetts e quajtur Taëni Lin Grzych-Sutton.
Ajo që bie në sy është mungesa e eksperiencës të kësaj kompanie në ndërtimin e resorteve. Në fakt kompania në fjalë është themeluar vetëm një vit më parë, në datën 25/06/2021.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe vetë Gaçi. Ai është shprehur se është investitor strategjik dhe se i takon zona e plazhit përballë hotelit për të vënë shezlongët.
“Unë jam investitor strategjik dhe po ndërtoj një hotel, nuk po ndërtoj vila siç bëjnë të tjerët,” tha Gaçi për BIRN dhe shtoi se sipas ligjit, “më takon zona e plazhit përballë hotelit për të vënë shezlongët”.
“Për të shmangur këtë konflikt interesi, unë gjeta një kompani tjetër me përvojë në këtë fushë, e cila do të marrë në menaxhim hotelin dhe plazhin dhe unë jam thjesht investitori. Kam folur me shumë juristë për këtë,” shtoi ai.
Sipas Gaçit, mes kompanisë së tij dhe “AGTTC Hotel Management” është bërë një kontratë, ku njëra do të bëjë investimin dhe tjetra menaxhimin.