ANALIZA/ Ben Blushi: Perëndimi i Ukrainës

0
336
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Ben Blushi

Imagjinoni një hartë plastike të Shqipërisë, ku pjesën lindore, nga Dibra deri në Korçë, dikush e shtyn me forcë drejt perëndimit. Për shkak të kësaj shtypjeje Dibra shkon në Lezhë dhe Korça shkon në Vlorë.

Kjo po ndodh në Ukrainë. Rusia po shtyn kufirin e Perëndimit më në perëndim. Me tanke.  U deshën 30 vite që Perëndimi të mbërrinte në kufi me Rusinë, aty ku sot janë zonat e pushtuara të Donbasit dhe Luhanskut të banuara kryesisht nga popullsi rus. Në 30 vitet e fundit, Ukraina ka bërë disa revolucione dhe ka ndryshuar shumë qeveri në përpjekje për t’i ikur ndikimit rus nën të cilin kishte jetuar për shumë shekuj.  Revolucioni portokalli i Jushcenkos, gërshetat e arta të Julia Timoshenkos, arratisja e Viktor Janukoviç, heroizmi aktorial i Zhelenskyt, janë të gjithë instrumente që ky vend ka përdorur për t’u bërë më demokratik dhe për t’i ngjarë Perëndimit.

Por për fat të keq Ukraina nuk ia doli dhe duket se nuk do t’ia dalë dot edhe për shumë kohë. Nuk dihet se sa. Pavarasisht se kur do të pushtohet, për një javë, për një muaj apo për një vit, fundi duket i qartë.  Rusia do të zëvendësojë qeverinë pro perëndimore në Kiev me një qeveri pro ruse, e cila ditën e parë të punës dë nënshkruajë një akt neutraliteti, do tërhiqet nga antaresimi në NATO dhe do të njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Mirëpo duke hyrë në Ukrainë, Rusia shtyu kufinjtë e Perëndimit dhe njëkohësisht edhe kufinjtë e demokracisë.  Një vend demokratik me zgjedhje të lira, në kufi, duket se është i papranueshëm për Rusinë. Nëse Ukraina do ishte një shtet autoritar si Bjellorusia nuk do kishte luftë. Tanket ruse do hynin aty për të mbrojtur qeverinë nga populli ndërsa në Ukrainë po hyjnë për të zëvendësuar qeverinë e popullit.

Të gjithë ata që gjejnë fajtorë në Rusi dhe histori kanë të drejtë, por të gjithë ata që fajësojnë Perëndimin për pushtimin e Ukrainës e kanë gabim. Perëndimi nuk mund të bënte dhe nuk duhet të bëjë më shumë. A duhet të shkojme aty për të penguar kalimin e dhunshëm të pushtetit nga një qeveri e zgjedhur me vota nga populli në një qeveri të caktuar nga një ushtri e huaj?A duhet të përdorë Perëndimi armët për të mbrojtur demokracinë në botë? Kjo është çështja

Pse aty po dhe këtu jo ?

Ndoshta asgjë. Bota do ishte më e pasigurtë, më e përgjakur dhe shumë më e varfër. Ukrainait janë ende të ndezur  nga mbështetja e Perëndimit, por ata e dinë se pas një muaji gjërat do jenë ndryshe. Ukraina është zhytur në historinë e vet dhe është e vështirë ta nxjerrësh që atje, të paktën për një dekadë derisa ndoshta Rusia të ndryshojë çka është një iluzion naiv nisur nga faktet historike.

Kushdo që beson se Rusia pa Putin, do jetë një vend miqësor ndaj avancimit të NATO-s, të Perëndimit dhe të demokracisë e ka gabim. Rusia do sillet gjithnjë njëlloj. Ushtarët e saj të varfër do marshojnë në tokat përreth për sa kohë që kanë miell, hekur dhe alkool. Bukë, armë dhe vodka. Pavarësisht nga sanksionet perendimore, Rusia do minojë avancimin e Perëndimit në Lindje.

Prandaj është koha që mbi hartën e Ukrainës, Perëndimi të përcaktojë kufinjtë e vet. Kufinjtë e Perëndimit nuk janë dhe nuk mund të jenë kufinjtë e demokracisë. Jo të gjithë popujt janë të gatshëm të jetojnë në një rend demokratik, sepse kjo përpjekje, ose vjen me shumë kosto, që disa herë nuk ja vlen të paguhen, ose ky ushtrim, pra demokracia, është një sforco që i bën më shumë dëm sesa të mira, shëndetit të një kombi.

Kjo është arsyeja që nuk kemi pse konfliktohemi më për të shtyrë kufinjtë e rendit demokratik aty ku është e pamundur për faktorë të brendshëm ose të jashtëm, sic është rasti i Ukrainës dhe Amerika ka të drejtë që thotë se nuk ka ndërmend të çojë ushtrinë e saj atje. Populli afgan do Talebanët më shumë  se Perëndimin dhe ky dështim sot është një mësim në Ukrainë.

Dikush mund të thotë se, është ndryshe rasti i Afganistanit dhe ndryshe ky i Ukrainës. Në fakt nuk janë shumë të ndryshëm. Perëndimi shkoi në Afganistan për të ngulur demokracinë, Rusia po shkon në Ukrainë për ta shkulur atë. Ku është këtu kufiri i të drejtës? Në të dyja rastet një vend sovran është pushtuar nga ushtri të huaja për të zëvendësuar një qeveri lokale. E cila ka qenë e padëshirueshme për pushtuesit.

Ne jemi bindur se demokracia sjell shpesh mirëqenie, paqe dhe harmoni sociale sic është rasti i Evropës, por kjo nuk është e vërtetë për Afganistanin, Kinën për shumë vende arabe përfshi Dubain.

A do ishte Dubai kaq i mrekullueshëm nëse, qeveritë aty, do ndryshonin me zgjedhje çdo 4 vite dhe ku refugjatët pakistanezë që kanë ndërtuar dhe ndërtojnë këtë parajsë, bashkë me stadiumet e Katarit, të kishin të drejtë të dilnin çdo ditë në protestë, të bënin greva apo te formonin sindikata për të kërkuar të drejta të barabarta për të huajt?

Demokracia pra është një instrument, por nuk është një qëllim. Mirëqenia dhe lumturia janë qëllime, që jo gjithnjë arrihen me demokraci. Ne që e pamë këtë dështim të demokracisë duhet të presim ditë më të mira duke mbrojtur demokracinë tonë, që siç tregon rasti i Ukrainës nuk e gëzojme dot përjetësisht. Mund ta humbim siç e fituam. Nuk e fituam se e merituam, por sepse ishim në Perëndim, aty ku Ukraina nuk është ose nuk u lejua të jetë.

Zjarr Tv Ad