Përfaqësuesit e mafies së miellit dhe grurit në Shqipëri kanë shfrytëzuar luftën e Putinit në Ukrainë, për të vjedhur edhe një herë shqiptarët, përmes një marrëveshje të pashpallur mes njëri-tjetrit dhe me lejimin në heshtje të Autoritetit të Konkurrencës. Që kur ushtria ruse hodhi bombat e para mbi Ukrainë, karteli dhe oligarkët e miellit në Shqipëri kanë rritur çmimin e miellit me 25 %, duke fituar kështu mbi 50 % në një kg miell, i blerë muaj më parë dhe i ruajtur në magazina. Muaj më parë, oligarkët e miellit arritën një marrëveshje mes njëri-tjetrit, duke rritur çmimin e miellit me 10 %, edhe pse kostoja importit nga vendet e tjera ishte e njëjtë.
Autoriteti i Konkurrencës nisi një hetim dhe konstatoi paktin e vjedhjes mes oligarkëve të miellit dhe grurit në Shqipëri, duke fiksuar çmimin e miellit dhe të bukës, për të vjedhur shqiptarët. U propozua një gjobë me vlerë 5 milionë euro. Por, Denar Biba, me votën e tij, hodhi poshtë gjobën, në mënyrë komprometuese, duke tradhtuar interesin publik dhe duke u pozicionuar në krah të oligarkëve. Disa muaj më vonë, Biba, me lobim të oligarkëve, nga anëtar i Autoritetit të Konkurrencës, u emërua kryetar i Autoritetit. Ky institucion, që sipas ligjit duhet të garantojë konkurrencën e lirë, të luftojë monopolet, deformimin e tregjeve dhe të mbrojë interesin publik, u kthye në vegël të kartelit të miellit në Shqipëri.
Pasi i shpëtuan ndëshkimit në vjeshtën e vitit të kaluar, oligarkët e miellit kanë bërë një tjetër marrëveshje, duke rritur deri me 25 % çmimin e miellit. Marrëveshja mafioze është bërë pas nisjes së luftës në Ukrainë. Një bukë nga 750 lekë, ka shkuar në 1 mijë lekë. Një kuintal miell për byrek dhe pica, nga 75 mijë që ishte, sot ka shkuar në 100 mijë lekë. Mielli i zakonshëm për bukë, nga 60 mijë lekë që ishte, sot ka shkuar në 78 mijë lekë në Tiranë, ndërsa në rrethe mbi 80 mijë lekë.
Mbi 600 mijë familje shqiptare po vidhen këto ditë nga një grusht oligarkësh, në bashkëpunim me institucionet shtetërore. Shqiptarët janë të pambrojtur dhe të tradhtuar, pasi qeveria dhe shteti i tyre, është bërë njësh me mafien e miellit.
Shqipëria në kolaps ekonomik; buka 100 lekë, nafta 215 lekë, e ardhmja financiare e pasigurtë
Edhe pse lufta në Ukrainë ka rrëmbyer të gjithë vëmendjen, duke bërë që politikanët shqiptarë të përfitojnë për të kthyer sytë nga bota, duke lënë në hije problemet reale në vendin tonë, populli nuk i shpëton dot luftës së përditshme për mbijetesë, që nuk ndodh më në Kiev, por në mes të Tiranës.Drama për qytetarët shqiptarë fillon që me nisjen e ditës dhe duket haptazi në gjërat më bazike, siç janë blerja e bukës apo furnizimi i makinës me karburant.Ndërkohë që pagat qëndrojnë në vend, pa bërë asnjë hap para, çmimet nuk ndjekin të njëjtin ritëm, duke u ngritur çdo ditë e më shumë dhe duke e bërë të pamundur jetesën normale për një qytetar shqiptar.Me justifikimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, rritje ka pësuar edhe prodhimi vendas, por sidomos çmimet e karburanteve dhe miellit, të cilat janë pasqyruar ditën e sotme në furrat e bukës dhe në pikat e karburanteve në vend.Në një treg plotësisht të papërgatitur ku secila palë ndjek me kujdes vetëm interesat e ngushta dhe ku shteti nuk e kryen aspak rolin si rregullator, aktorët e tregut të bukës pohojnë se, nëse konflikti zgjat dhe sanksionet gjithashtu, rritja e pashmangshme e çmimeve do të reflektohet ndjeshëm edhe në Shqipëri, duke qenë se vendi ynë është importues neto i ushqimeve.
-Ngritja e çmimit të miellit
Çmimi i miellit po rritet në mënyrë të frikshme në Shqipëri. (3 mars) një bukë ka arritur në çmimin 100 lekë, duke u kthyer më shumë se në një produkt bazë, në një luks për qytetarët. Fabrikat që furnizohen me grurë në vend, e kanë shtrenjtuar miellin ndjeshëm, duke rrezikuar për një kolaps të pashmangshëm në ekonominë shqiptare.
-Ngritja e çmimit të karburanteve
Përveç çmimit të bukës, pas vëzhgimit të pamfleti.net, u vu re se edhe nafta ka pësuar sërish rritje, duke arritur ditën e sotme në 215 lekë për litër. Çmimi i karburanteve është rritur shumë herë që nga viti 2021, duke arritur deri në rekordin që qytetarët janë detyruar të paguajnë sot.
Çmimet sot në një market në Tiranë!
Sheqeri shitej 100 L, tashmë shitet 110 lekë.
Orizi perla shitej 170, tashmë shitet 190
Qumshti Lufra shitej 150 lufta, tashmë shitet 160 lekë.
Kosi (got) shitej 50, tashmë shitet 60 lekë.
Dhalli shitej 50, tashmë shitet 60 lekë.
Vaji, shitej 270, tashmë shitet 290 lekë.
Qumshti Latte (i vogli) shitej 150, tashmë shitet 180 lekë.
Qumshti Latte (I madh) shitej 230, tashmë shitet 250 lekë.
Uji i vogël lajthiza ne market shitej 40, tashmë shitet 50 lekë.