Kryetari i PD Lulzim Basha ka thyer heshtjen duke folur për herë të parë për disfatën që forca politike që ai drejton mori në zgjedhjet e 6 marsit. Kandidatët e tij morën më pak vota se ata të koalicionit Berisha-LSI, dhe nuk morën asnjë bashki.
Në një deklaratë për mediat, Basha tha se ata kanë përgjegjësitë e tyre dhe tashmë në PD ka nisur një reflektim i thellë. Sipas tij, qytetarët nuk kanë më besim te partitë dhe braktisën procesin duke mos marrë pjesë në votime.
Pjesë nga deklarata e kryetarit të PD:
Procesi përfundoi dhe u bëj thirrje të gjithë numëruesve që të vazhdojnë deri ën fund procesin. Procesi i 6 marsit ishte anomali e një anomalie. Anomalia e parë ishin zgjedhjet moniste të 2019, anomalia e dytë ishte se 4 nga kandidatët dolën të inkriminuar. Shumica e shqiptarëve e ka kuptuar nevojën për një reformë të thellë.
Sot kemi një sistem politik që është vënë në shërbim të politikanëve. Të një grushti politikanësh që i pasuron dhe varfëron qytetarët. Kjo është njëra anë. Nuk ka shqiptarë që nuk e kupton që 6 marsi është një anormaliteti i një anormaliteti.
Me mospjesëmarrje të madhe, ky është tashmë një fakt që qytetarët në 6 bashkie braktisën procesin zgjedhor. Nuk kishte asnjë garanci shtesë. PD iu mohuan komisionerët. Aleanca e non-gratave kërcënoi bashkë me bandat në Vorë komisionerët vendas dhe ne kemi dërguar në SPAK tre denoncime. Dibër, Shkodër, Rrogozhinë dhe po përgatisim për KZAZ e Vorës.
Na takon ne të bëjmë një reflektim të thellë për reformimin tonë të brendshëm, që ka nisur. Nevojës për t’u shkëputur nga pjesët problematike të së shkuarës. Për të folur me njerëzit. Kemi detyrë parësore që dhe ne si parti të bëjmë reflektim të brendshëm.
Nuk është koha për t’i ikur përgjegjësive, ama nuk mund të bëjmë sikur jetojmë në një planet tjetër. PD është vendosur në një sulm të shumëfishtë për nevoja personale. Përgjegjësia jonë është përshpejtimi i hapave që kemi nisur. Kemi gabimet tona, kemi mëkatet tona, pjesën tonë të përgjegjësive pse vendi është në këtë situatë, por ajo që ka ndodhur dje ku njerëzit kanë folur qartë me mospjesëmarrje, kërkon një reflektim të thellë.