KQZ-ja tërheq anëtarësimin nga Organizata e Zyrtarëve të Evropës (Ja arsyeja)

0
37
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

KQZ do të  largohet nga Organizata e Zyrtarëve Zgjedhorë të Evropës. Ky vendim është marrë si një shenjë proteste kundër luftës që Rusia ka nisur në Ukrainë.

Ka qenë kryekomisionieri Ilirjan Celibashi, ai i cili përmes një postimi në “Twitter”, ka bërë me dije se përmes një shkrese ka ndërprerë menjëherë anëtarësimin e Shqipërisë në  ACEEEO “pasi vlerësoj se KQZ e Shqipërisë nuk ka asnjë arsye të vazhdojë të jetë anëtare e kësaj organizate”.

Mësohet se deri më tani KQZ e Rusisë dhe e Bjellorusisë nuk janë larguar nga kjo organizatën.

Kujtojmë se më herët, Sllovenia, Kroacia e Polonia janë larguar nga organizata, ndërkohë që edhe KQZ e Kosovës pritet të marrë të njëjtin vendim

Njoftimi i plotë:

KQZShqiperi tërheq anëtarësimin nga Organizata e Zyrtarëve Zgjedhorë të Evropës si pasojë e mospërjashtimit të KQZ-ve të Rusisë dhe Bjellorusisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën pjesë që prej themelimit në ACEEEO – Organizata e Zyrtarëve Zgjedhorë të Evropës, e cila përbëhet nga KQZ-të e 25 vendeve evropiane, si dhe një sërë trupash të tjera që administrojnë zgjedhjet në vendet përkatëse.

KQZ e Shqipërisë duke qenë se ka mbajtur dy herë presidencën e përvitshme të ACEEEO-s gëzon statusin e anëtarit të përhershëm të Asamblesë së Përgjithshme, organit qeverisës të krejt organizatës.

Asambleja e Përgjithshme e ACEEEO-s pas një mbledhje të jashtëzakonshme online i hapi rrugën votimit për përjashtimin e KQZ-ve të Rusisë dhe Bjellorusisë, si pasojë e agresionit të tyre në Ukrainë. Votimi u mbajt në datën 4 Mars 2022.

Në kontakt edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europën, KQZ votoi PRO për përjashtimin e KQZ-ve të Rusisë dhe Bjellorusisë. Për mungesë kuorumi, përjashtimi nuk u mundësua.

Ndërkohë disa anëtarë të kësaj organizate, si KQZ e Sllovenisë, Kroacisë, Polonisë dhe të tjerë menjëherë njoftuan me shkrim tërheqjen nga anëtarësimi në ACEEEO.

Në emër të KQZ-së së Shqipërisë në datën 09 Mars 2022, njoftova me shkrim ndërprerjen e menjëhershme të anëtarësimit të Shqipërisë në ACEEEO pasi vlerësoj se KQZ e Shqipërisë nuk ka asnjë arsye të vazhdojë të jetë anëtare e kësaj organizate.

Sistemet politike dhe shoqërore të Rusisë dhe Bjellorusisë nuk mund të kenë institucione të administrimit zgjedhor të paanshëm, të pavarur dhe të lirë. KQZ e Kosovës gjithashtu do të largohet nga kjo organizatë.

Ndërkohë KQZ-së së Ukrainës i shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, të institucionit që përfaqësoj dhe të çdo shqiptari, në këto ditë tejet të vështira për vendin e tyre.

Zjarr Tv Ad