“Fshati digjet…!” – Nga EDI OGA

0
33
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kjo shprehje (besoj) origjinale e gjuhës sonë, më të lashtës në Evropë, duhet të ketë lindur që kur kanë filluar të ekzistojnë së bashku të katër elementët semantikë që e përbëjnë atë; fshati, zjarri, krehëri dhe… ajo që krihet. E përkthyer në rrethanat e kohës së sotme:

Fshati është gjendja aktuale ekonomiko-sociale e popullit tonë. Të sapo dalë nga një pandemi tre vjeçare, të drobitur e të varfëruar, na duhet të përballemi me një krizë të rëndë të induktuar të rritjes së çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe lëndëve të para. Për më tepër, askush nuk e di sa e thellë dhe e gjatë do të jetë ajo. Më keq akoma, ne nuk kemi asgjë në dorë për ta frenuar këtë krizë. Në këto kushte, të varfërit kërcënohen nga mjerimi, të mesmit nga varfëria dhe të pasurit nga ‘parehatia’. A nuk i ngjan kjo një fshati që po digjet? Cilët janë ata që po krihen?

Qeverisja, opozita dhe biznesmenët.

E vënë përballë protestave “sui generis”, qeverisja, e cila sot ka fytyrën dhe vendimmarrjen e një njeriu të vetëm, pa e shkëputur shikimin nga pasqyra, mendon se do t’ia hedhë me pak mundim, me një ndërhyrje në formë pakete. Kjo paketë ka efektin e një anestetiku të shpejtë që i bëhet një të sëmuri mendor i cila sapo ka filluar të shfaqë disa shenja të lehta agresiviteti. Shumë shpejt qeverisja do të kuptojë se zjarri është më i madh sesa duket dhe do t’i duhet që të flakë krehërin e të përveshë mëngët, në rast se nuk dëshiron të përcëllohet nga zjarri!

Opozita. Sot ajo është më e nevojshme se kurrë. Sot ajo duhet t’i dilte qeverisjes si imazh i reflektuar në pasqyrën e krehjes, dhe jo të krihej për hesap të vet në copëra pasqyrash të vogla. Sot opozita është pothuaj inekzistente. Përveç se është e dobët dhe e përçarë, ajo ka humbur edhe moralin që të vihet në krye të “zjarrfikjes”. I vetmi qëllim i saj momental, është ‘shpëtimi i bythës së vet’.

Oligarkët dhe biznesmenët. Ata nuk janë mjaftueshëm të ndërgjegjshëm që kjo nuk është një kohë për të fituar, por për të rezistuar. (citat gjysmë-hipokrit i ‘qeveriut’). Mjaft prej tyre e shohin këtë kohë si të artë për të rritur fitimet. Spekulantë të pashpirt. Madje edhe të papjekur deri në budallenj. Të paaftë të kuptojnë se nëse ushqejnë zjarrin, do të digjen edhe vetë prej tij. Fshatit i ka mbetur veç zjarri. Veç protesta. Ata që krihen, duhet t’i vendosin gishtin kokës, jo krehërin…!

Zjarr Tv Ad