Këngëtarja e njohur shqiptare, Elsa Lila është arrestuar sot në Itali e akuzuar si pjesë e një grupi të struktura kriminal që trafikonte drogë.
Sipas mediave italiane, operacioni është finalizuar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës nga Drejtoria e Rrethit Anti-mafia të Romës. Blutë kanë lëshuar 13 urdhër arreste prej të cilëve janë ekzekutuar deri më tani vetëm 9.
Mes të arrestuarve është këngëtarja 40-vjeçare, Elsa Lila, e cila sipas mediave mbante llogaritë e grupit kriminal. I përfshirë në këtë skemë është boksieri Petrit Bardhi i njohur si “Titty”. Ai ishte arrestuar edhe më herët në vitin 2015 bashkë me Arben Zogun në një operacion të Guardia di Finanza.
SANREMO
Elsa Lila është një ndër personalitetet e njohura të këngës shqiptare, por që ka debutuar me sukses edhe në Itali në Festivalin e Sanremos. Ajo për herë të parë këndoi në itali në vitin 2003 me kengën Valeria, ndërkohë që në vitin 2007 ajo mori pjesë sërish me këngën “Il senso della vita” (kuptimi i jetës).
Elsa Lila ka lindur në Tiranë, Shqipëri dhe babai i saj ishte një këngëtar i ish-korit të shtetit shqiptar, ndërsa nëna e saj ishte violiniste, kështu që të dy prindërit e saj e rritën atë afër muzikës dhe teatrit, duke i dhënë asaj një dashuri të madhe për artet.
POLITIKA
Këngëtarja shqiptare, Elsa Lila është përfshirë në politikë vite më parë, kur Partia Socialiste asokohe në opozitë hyri në grevën e urisë në Çadrën para Kryeministrisë.
Elsa Lila në vitin 2010 iu bashkua deputetëve në grevën e urisë, ku ka bërë thirrje që qytetarët të mbështesnin Partinë Socialiste në kërkesën për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 2009-ës.
“Sot ka ardhur ora e qytetarit. Vëllezër dhe motra, unë tani do te shkoj te bashkohem me Shegen, Floren, Olten, Mozen, Ermonelen, Fatmirin dhe te gjithë shqiptaret e ndershëm. Qe ne ketë moment, po hyj ne greve urie me dëshirën time te lire”, shprehej Elsa Lila në mitingun e PS-së.
Elsa Lila ka pozuar disa herë krah Edi Ramës, I cili në vitin 2013 publikoi foton me këngëtaren duke u përqafuar dhe ku shpjegonte se ajo erdhi nga Italia për të votuar Rilindjen.