Deputeti demokrat Tritan Shehu ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, ku shumica e deputetëve i kanë kërkuar dorëheqjen kryetarit Lulzim Basha.
Ai tha në Abc se Lulzim Basha ka vetëm një zgjidhje, të largohet nga zyra, pasi është i shkarkuar nga Kuvendi i 11 Dhjetorit po mban një seli dhe një vulë që nuk i përkasin.
“Basha ka vetëm një zgjidhje, të largohet nga zyra. Ai ka një seli që nuk është e tij, një vulë që nuk është e tij, pra të lirojë atë që nuk është e tij. Unë nuk shoh asgjë tjetër se çfarë mund të kërkohet nga zoti Basha, është i mirëpritur të jetë deputet në luftën opozitare dhe kaq.
Zoti Basha është shkarkuar nga Kuvendi i 11 Dhjetorit, ku morën pjesë 85% e delegatëve, u ratifikua në referendumin e 18 Dhjetorit, pra kjo është një çështje e mbyllur. Nëse dikush mban në mënyrë arbitrare një zyrë me policinë e Ramës, kjo është pjesë e uzurpimit të asaj që nuk ju takon”, tha Shehu.