Protesta për çmimet e përmbylli aksionin e saj. Përkundër shumë zërave mbi bilancin e saj, unë mendoj se kjo protestë, dhe çdo protestë tjetër, është e sukseshme. Eshtë e suksesshme sepse ngacmon shoqërinë të reagojë, të dalë në rrugë, të bërtasë, të kërkojë llogari. Eshtë e suksesshme sepse i tregon qeverisë se populli nuk ka vdekur, qytetarët nuk janë asfiksuar dhe zërat e lirë nuk janë burgosur… Ndaj unë personalisht do të kisha një falenderim publik për ata djem e vajza që u vunë në krye të saj dhe çdo ditë morën përsipër organizmin e saj. Si një njeri që kam patur dhe kam dellin e opozitarit të përhershëm(jo vetem me qeverinë), unë kam shumë fjalë mirënjohjeje për këtë aksion qytetar.
Por nëse dikush do të përpiqej ta konsideronte të suksesshme atë në raport me kërkesat që adresoi dhe plotësimin e tyre, mendoj se jemi ose në kushtet e një teorie konspirative, ose në kushtet e një naiviteti.
Protesta ishte pika e vlimit të një zemërate qytetare, e cila nuk u menaxhua si duhet, për të kanalizuar këtë zemëratë drejt objektivave të qarta.
Edhe pse protestat janë aksione qartësisht politike, por jo domosdoshmërisht partiake, organizatorët u përpoqën maksimalisht të mos e quajnë politike(nuk e kuptoj këtë frikë, apo këtë kujdes).
Protesta nuk kishte një objektiv, nuk kishte kërkesa të qarta. Fillimisht ishte një tubim masiv, dhe një lloj karaokeje folklorike, ku gjithkush fliste, akuzonte, shante…Më pas u artikuluan disa kërkesa, përfshirë edhe ato të tipit “që të krijohet një komisonin për kontrollin e çmimeve”. Kur këtë punë e bëjnë institucionet e shtetit që mbikqyrin tregun dhe jo qeveria me ekstrakomisione.
Sipas mendimit tim, kjo ndodh sepse:
Në krye të protestave janë të njëjtët njerëz; edhe tek unaza e re, edhe tek unaza e madhe, edhe për çmimet, edhe për teatrin, edhe për dhunën…Protesta është ngjarje, ajo ka kauza, kauzat i prodhojnë idividët apo grupe individësh, ata nuk janë profesionistë organizimesh, por janë liderë dhe liderët prodhojnë lëvizje. Nuk mundet që të njëjtët njerëz të jenë në krye të çdo proteste dhe të përfaqësojnë të gjitha kauzat. Të duket sikur ka lindur një biznes i ri, “Agjensitë e Organizimit të Protestave”, njësoj si ato agjensitë e eventeve që organizojnë dasma, synetllëqe, ditëlindje….
Eshtë bërë e udhës që në krye të protestave vihen njerëz që vuajnë nga egoizimi dhe deliri, ata hiqen si pronarë të saj. E mbani mend protestën e studentëve, kur një djalë me kokore biçiklete bridhte studio më studio dhe hiqej si pronari i protestës dhe thoshte se nuk lejojmë të na e marrin protestën, duke bërtitur “ne do fitojmë”?
Këto protesta, më shumë se aksione qytetare që synojnë një zgjidhje, më janë dukur si ato portat e shkarkimit të digave, që kur mbushet liqeni hapen për të mos shembur digën. Pra protestat zbrazin energjinë e tepërt që diga të rezistojë.
Unë nuk dua të thur asnjë teori konspirative mbi misionin e organizatorëve.
Unë e quaj të sukseshme këtë protestë, si çdo protestë tjetër në çdo kohë e çdo vend.
Por në terma politikë kjo ishte një rrufe e shkarkuar në tokë, pa asnjë efekt të rëndësishëm.